Nga Daut Dauti

Shërbimi Sekret Ushtarak Britanik i ka përgjuar komunikimet e nacistëve gjermanë në lidhje me formimin dhe operacionet e Divizionit Skenderbeg. Sot, në arkivin britanik ekziston një dosje voluminoze e kësaj pune. Por, nuk është  shënuar asnjë veprim i këtij divizioni për qëllimin që ishte formuar. 

Në fotografinë e parë të postuar këtu (Document Top Secret), të datës 12.5. 1944, bëhet me dije për një udhëtim të Xhafer Devës dhe Ago Agait, të  cilët kthehen nga Gjermania me aeroplan përmes Beogradit. Po aty thuhet se njësitë shqiptare janë  duke dështuar kundër komunistëve. [Pason teksti i cili për përgjuesit ka qenë i palexueshëm]. Por, fjalia e fundit është e qartë : ‘Në  këto rrethana, prospekti i veprimeve të [Divizionit] Skenderbeg është zero.’ 

Në dokumentin e dytë zyrtari gjerman në Tiranë, me siguri udhëheqës i shërbimit sekret nazist, flet për një milici të armatosur e cila e ka ndihmuar Divizionin Skenderbeg. Kur kjo njësi është  bombarduar nga aeroplanët britanikë, të  armatosurit i kanë hedhur armët dhe kanë ikur në mal. Në pasusin e dytë, zyrtari gjerman ankohet në Berlin për shkak se fondet që i janë dërguar atij, janë të pamjaftueshme. Ai kërkon që  Kaltenbrunner (ministri i Brendshëm gjerman) të dërgojë më  shumë para në Tiranë . Këto para janë  të  dedikuara për ryshfete. D.m.th zyrtari gjerman thotë se qeveria e Shqipërisë, gjegjësisht gjandarmëria dhe zyrtarët tjerë, kërkojnë ryshfete nëse gjermanët dëshirojnë ta kryejnë ndonjë punë përmes tyre.  

Ky dokument nuk flet vetëm për korrupsion. Është  dokument që bën me dije se qeveria shqiptare e asaj kohe, e kryesuar nga Rexhep Mitrovica, nuk ka qenë  e themeluar e as e kontrolluar nga gjermanët. Sikur të  ishte e tillë , nuk do të  kishte nevojë  për ryshfete. 

Në fakt, shqiptarët, ndoshta të vetmit në  Evropë, as që kanë pasus një lëvizje fashiste. Por, gjërat kanë ndryshuar pas luftës kur historia e shtetit komunist i ka shpallur fashistë apo bashkëpunëtorë  të fashizmit të gjithë ata që nuk ishin komunistë  apo që edhe ishin komunistë,  por nuk u pajtuan me sistemin e vendosur në Shqipëri pas vitit 1945. 

Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku Xhafer Deva ishte ministër i Brendshëm, nuk ka bërë asnjë veprim fashist, siç kanë  bërë  të gjitha qeveritë evropiane në shfarosjen e hebrenjëve. Kjo qeveri nuk e ka bërë as ‘masakrën’ për të cilën akuzohet kinse ka ekzekutuar qindra antifashistë. 

Qeveria e Rexhep Mitrovicës ka qenë ndër qeveritë me njerëz të arsimuar dhe patriotë. Shumica e anëtarëve të  kësaj qeverie kanë studiuar në Austri ose Gjermani. Por, Rexhep Mitrovica, së  bashku me grupin që u morën vesh, e ka luajtur rolin e domosdoshëm. Ky grup i intelektualëve, menjëherë  pas kapitulimit të Italisë dhe rënies së qeverisë së  atëhershme shqiptare, ka treguar pjekuri duke e zbatuar parimin themelor politik, i cili thotë se vendi nuk guxon të  mbetet pa qeveri asnjë sekondë; çfarëdo që është një qeveri, është  më e mirë se ajo që nuk ekziston. 

Qeveria e Rexhep Mitrovicës dhe Xhafer Deva mund të akuzohen ndoshta për përzënien e serbëve. Kështu sëpaku thotë historia e Serbisë . Dhe, sot të gjitha akuzat për qeveritë e shqiptarëve gjatë luftës, kur qenë bashkuar pjesërisht trojet shqiptare, kanë origjinë në Serbi. Askund tjetër. Asnjë  nga anëtarët e këtyre qeverive nuk kanë  qenë kurrë të akuzuar nga askush, pos Beogradit dhe Tiranës komuniste, për krime të luftës apo për ndonjë lloj tradhëtie. Kjo është për shkak se nuk kishte baza për akuza. 

Por, një gjë duhet mbajtur në mend. Këto qeveri kanë kontribuar shumë në aspektin kombëtar. Pa këto qeveri nacionalizmi shqiptar jashtë Shqipërisë  me siguri do të vdiste pas Luftës së Dytë  Botërore. Këto qeveri e mbollën patriotizmin te shqiptarët. Këto qeveri e bindën shqiptarin e pashkolluar të  Kosovës se mund të  krijonte shtet me adminstratë dhe forca të armatosura shqiptare. Këto qeveri kanë dështuar, por pas vetes kanë lënë idenë patriotike. 

Shumë grekë që gjatë luftës ishin fashistë të tërbuar, sot janë heronj të respektuar në Greqi. A ka protestuar ambasadori gjerman për renovimet që i bëhen shtëpisë  se Ivo Andrićit më shumë se shpesh? Njeriut që e shkroi ABC-në më të  përsosur për zhdukjen e shqiptarëve dhe shtetit të tyre. A ka protestuar ambasadori gjerman për rehabilitimin e kriminelit të  luftës dhe bashkëpunëtorit fashist, Draža Mihailovićit? Natyrisht që  jo. As që duhet se nuk është  punë  e tij se çfarë objekte renovojnë shtetasit e vendit në  të  cilin ai është dërguar përfaqësues. Por, pse ky ambasador për Kosovën nuk e merr të njëjtin qëndrim që ka edhe për Serbinë ose Greqinë?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *