Lindi në Dajç të Zadrimës. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e vazhdoi në Seminarin Papnor në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë. Zotëronte gjermanishten, italishten, latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe sllavishten. Pas studimeve u kthye në Shqipëri. Për shkak të kryengritjes antizogiste të Dukagjinit më 1926, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Nikollë Gazulli u burgos për 4 vjet në Gjirokastër. Falë ndërhyrjes së At Gjergj Fishtës, Norbert Jokl-it dhe Asdrenit, Nikollë Gazulli u lirua në vitin 1930 dhe u vendos si famullitar në Shkrel. Gjithashtu ka

shërbyer si famullitar në Bogë, Zagorë, Kastrat, Koplik.

Duke shërbyer si famullitar në shumë vende, Dom Nikollë Gazulli mblodhi mijëra fjalë të vjetra, shprehje frazeologjike, materiale onomastike e toponimike, gojëdhëna, legjenda, të  cilat u botuan ne

dy vepra: “Fjalorth i ri” (fjalë të rralla të perdoruna në Veri të Shqipërisë) e përfshirë në serinë “Visaret e Kombit”, si dhe “Fjalor Onomastik” që u botua në disa numra të revistës “Hylli i Dritës” me pseudonimin “Gelasius”. Ka patur korrespondencë aktive me albanologun e shquar Norbert Jokl.

Aleksandër Xhuvani e ka quajtur Gazullin si “Babai i toponimisë shqiptare” ndërsa At Zef Pllumi e kujtonte si “ekspertin më të rëndësishëm që ka pasur ndonjëherë libraria Franceskane”.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, Dom Nikollë Gazulli u fsheh për një vit në një shpellë për t’i shpetuar përndjekjes. U zbulua nga forcat e ndjekjes dhe u vra pa gjyq më 23 mars 1946 në Vrith të Malësisë së Madhe, Puna e tij shkencore, me pak përjashtime, nuk u citua gjatë regjimit komunist./ Muzeu Kombëtar “Shtëpia e Gjetheve”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *