Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se administrata e tij po zhvillon bisedime me Kubën, por theksoi se prioriteti i momentit mbetet situata e luftës me Iranin.
Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, Trumpi u shpreh se negociatat me Havanën janë në vazhdim, por Uashingtoni synon të përqendrohet fillimisht te zhvillimet në Lindjen e Mesme.
“Po flasim me Kubën, por do të përfundojmë me Iranin përpara Kubës”, deklaroi Trumpi para mediave.
Ndërkohë, presidenti kuban Miguel Díaz-Canel konfirmoi se mes dy vendeve po zhvillohen bisedime që synojnë uljen e tensioneve dhe gjetjen e një zgjidhjeje për mosmarrëveshjet e vjetra politike dhe ekonomike.
Trumpi theksoi gjithashtu se shumë nga mbështetësit e tij në shtetin amerikan të Floridës presin ndryshime në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës pas dekadash armiqësie politike.
Megjithatë, sipas Trumpit, administrata amerikane është aktualisht e fokusuar te konflikti me Iranin dhe zhvillimet në rajon, ndërsa çështja e Kubës do të trajtohet më gjerësisht pasi të përfundojnë operacionet dhe tensionet aktuale.

