Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj kryeministrit Edi Rama për editorialin e përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Ajo u shpreh se ky veprim krijon përshtypjen se sa herë që Vuçiçi përballet me presion nga Bashkimi Evropian, Rama del në mbështetje të tij.
Sipas Gërvallës, qytetarët e Kosovës nuk do ta falin këtë qëndrim, duke theksuar se nuk duhet të ketë alternativa bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë që anashkalojnë Kosovën.
Ajo shtoi se çdo lider shqiptar që e injoron këtë realitet rrezikon të bëjë gabime strategjike që mund të dëmtojnë interesat kombëtare në planin afatgjatë.
Reagimi i saj vjen pas publikimit të një editoriali të përbashkët nga Rama dhe Vuçiçi, ku propozohet që Shqipëria dhe Serbia të integrohen në Bashkimin Evropian edhe pa të drejtë vetoje dhe pa ndryshime në strukturat vendimmarrëse të unionit.

