Ministrja e Jashtme e Kosovës u shpreh se Rusia e ka pjesë të strategjisë së saj nisjen e një tjetër lufte në Ballkan duke instrumentalizuar Serbinë me synim zhvendosjen e fokusit të Perëndimit nga lufta në Ukrainë.
Donika Gërvalla theksoi se interesat e Putinit ndaj Ukrainës përputhen me ato të Vuçiçit ndaj Kosovës. Sipas saj, Putini nuk do të ndalonte me Ukrainën nëse e arrin synimin e tij, ndërkohë që Aleksandër Vuçiç, krahas Kosovës, synon të shtrijë të ashtuquajturën “Bota Serbe” edhe në Bosnje dhe Malin e Zi.
“Strategjia e Putinit është të mbajë Perëndimin të hutuar me konflikte të ndryshme. Pra, një luftë tjetër në Ballkan do të ishte shumë e mirëpritur nga Rusia”, ka theksuar ajo, duke shtuar se Kosova në veçanti është një objektiv joshës për Putinin, sepse prosperiteti i vendit minon argumentin e tij se Perëndimi nuk mund të ndihmojë vendet e ish-bllokut lindor.
Putini flet çdo javë për Kosovën… Nuk ka të bëjë me rëndësinë gjeopolitike të Kosovës, por ka të bëjë me faktin se Kosova është një histori suksesi e Perëndimit, një histori suksesi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një histori suksesi e NATO-s, një histori suksesi e vendeve perëndimore evropiane” – tha Gërvalla për “NatSec Daily”.