Nga Agim Morina
Dikush e mori me mendjelehtësi, dikush më me seriozitet çashtjen e ndalesës së simbolit të flamurit me dy duer nga federata e futbollit, e cila përmbushi kërkesën e Serbisë dhe pranoi interpretimin e saj se me ba simbolin e flamurit me duer qenkësh “veprim nacionalist”. Për këtë veprim u dënuen dy futbollistë shqiptarë që ishin në përfaqësuesen zvicrane të futbollit. Vetëm individë të ndryshëm reaguen për këtë vendim të padrejtë, të pakuptimtë dhe antishqiptar. Institucionet e shtetit, qoftë të Shqipërisë, qoftë të Kosovës, heshtën.
Që Serbia çfarëdo shenje shqiptare e përjeton si “të rrezikshme” dhe “antiserbe”, kjo nuk do diskutim. Për Serbinë klerofashiste zgjidhja ma e mirë kishte me qenë shfarosja, zhbimja, masakrimi dhe djegia e të gjithë shqiptarëve. Vetëm shqiptari i vdekun, për Serbinë asht shqiptar i mirë. Kjo ka qenë formula e vetme me të cilën Serbia ka kalkulu çdo veprim kundër shqiptarëve që nga themelimi i shtetit të Serbisë. Dhe Serbia klerofashiste ka provu me zbatu këtë program antishqiptar së paku tue kry tri gjenocide brenda rreth një shekulli e gjysë. Për fat të mirë, Federata e Futbollit nuk mundet m’ia plotësu edhe këtë kërkesë të Serbisë.
Sidoqoftë, ajo çfarë shum shqiptarë nuk po kuptojnë asht se Serbia gjithmonë lun me kartë të ashpër, me kërkesa përtej çdo imagjinate, me akuza ma absurde të mundshme, për me mujtë me arrijtë qëllime realiste për të. Klerofashizmin e vet të dëshmuem disa herë, jo vetëm kundër shqiptarëve, e mbulon me rrezikimin nga kërcënimi i “nacionalizmit shqiptar”, “nacionalizmit kroat” apo “fundamentalizmi boshnjak”. Por, zbatuese e gjenocidit në fund të shek. XX në mes të Europës, – me një vendim tashma të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, – asht vetëm Serbia.
Serbia klerofashiste jo vetëm që nuk ka kërku falje për krimet kundër popujve fqinjë, jo vetëm që nuk ka pagu damshpërblime, por edhe sot e kësaj dite ka po ata politikanë, po atë politikë klerofashiste në pushtet e në veprim. Të tregohesh i mirëkuptueshëm ndaj Serbisë së këtillë asht me lëshu pe ndaj një politike gjenocidale. Asht shenjë që i thuhet Serbisë se mundet me vazhdu me po atë politikë shfarosëse e kriminale.
Dhe ata që kanë mendu se Serbia do të ndalet vetëm te kërkesa që të ndalohet simboli me dy duer i shqiponjës, tash, besoj, e kanë kuptu edhe një herë se e kanë pasë gabim. Tash Serbia, që nëpërmjet Rusisë, ia doli me instalu një Gjykatë Speciale, me akuzën kryesore për tregti organesh njerëzore që u avulluen ende pa nisë gjykimi, ia doli me paraqitë UÇK-në para opinionit publik ndërkombëtar, ia doli që edhe në mes të Tiranës të ndalojë emblemën e UÇK-së në maicën e vendosun në shpinën e një tifozi dhe të shkulë poshtërsisht flamurin e UÇK-së.
Serbia klerofashiste gjithmonë e ka pasë dorën e gjatë t futun nëpër zorrët e shqiptarëve, por kush do ta besonte se e ka kaq të gjatë sa të shkulë edhe emblemën e UÇK-së në mes të Tiranës. Me emblemën e UÇK-së nuk duhet të jenë krenarë vetëm shqiptarët, por çdo popull liridashës, bile edhe vetë serbët mendjekthjellët, sepse UÇK-ja ishte dhe mbeti një forcë që iu kundërvu së keqes, klerofashizmit, antinjerëzores.
Përkulja edhe ndaj kësaj kërkese nga autoritetet e Tiranës paralajmëron edhe ndonjë “mirëkuptim” të ardhshëm ndaj Serbisë klerofashiste. Cilën, nuk e dijmë. Por, imagjinata antishqiptare dhe antinjerëzore e Serbisë asht e pafund, ashtu qysh asht i pafund idiotizmi i pushtetarëve në Tiranë.