Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, dhe drejtorin aktual, shtetasin kinez Hongping Xiao.
Të dy zyrtarët, së bashku me persona të tjerë që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak ose janë shpallur në kërkim, kërkuan ndryshimin e masave të sigurisë të dhëna më parë nga Gjykata e Fierit.
Kërkesat u refuzuan, me përjashtim të një rasti ku masa u zbut nga “arrest me burg” në “arrest shtëpiak”, për shkak se njëri nga të pandehurit është prind i një fëmije 2-vjeçar.
Në seancë ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i ambasadës kineze në Tiranë.
Akuza ndaj të pandehurve në “Dosjen Bankers Petroleum”:
Të pandehurit në këtë çështje akuzohen për kryerjen e disa veprave penale:
“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” – neni 144/a i Kodit Penal, “Fshehja e të ardhurave” – neni 180/3, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” – neni 287, “Shpërdorimi i detyrës” – neni 248, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore” – neni 181/a.