Nga Atbër Zaimi

Dosjet Epstein rrëfejnë për një pjesë të elitës biznesore, politike, artistike e akademike që në publik shfaqet si morale, në prapaskenë lapërdhare. Në publik shfaqen sikur nuk pajtohen me njëri-tjetrin e sikur ka debate të forta politike e parimore, në prapaskenë frekuentojnë njëri-tjetrin dhe shkëmbejnë influencë.

Rrëfejnë gjithashtu se epshi e lakmia prodhojnë kompromentim e shantazh, shtete të caktuara e përdorin mandej kompromatin për të drejtuar politikat e shteteve të tjera, ekonomike a ushtarake qofshin, deri edhe luftëra ku kanë vdekur dhjetra e qindra mijëra ushtarë e civilë. Shumë ngjarje gjeopolitike marrin një dritë më të errët nga pikëpamja e popujve por edhe më qesharake nga pikëpamja e moralit të superfuqive, kur analizohen nga prizmi i disa emaileve të publikuara nga ajo dosje famëkeqe.

Të pafuqishëm për të luajtur ndonjë rol në përmirësimin e botës, ashtu siç pritet e siç premtojnë, këta njerëz të frustruar si kompensim e kanë ndjerë veten të fuqishëm mbi trupat e vajzave e djemve të parritur.

Këto dobësi të tyre shfrytëzohen nga një lukuni sekserësh e biznesmenësh që për para mund ta shkatërrojnë edhe globin pa u menduar gjatë.

Lehtë është të zhgënjehesh nga politika e demokracia kur lexon gjëra të tilla. Mirëpo kur njeriu i zakonshëm heq dorë nga politika, përfundon nën thundrën e saj. Zgjidhja është te organizimi komunitar e ngadalësimi i politikës me procedura demokratike – sepse sa më e shpejtë vendimmarrja aq më e madhe hapësira për abuzim. Le t’i mbetet shpejtësia në vendimmarrje boteve të AI-së, që së fundi kanë nisur të shfaqin edhe ata aftësi për të shantazhuar njeriun.

Sovranitet është aftësia për t’i rezistuar presioneve e shantazheve, qoftë edhe prej kohës. Superfuqitë në të shkuarën nuk janë shëruar dot nga dekadenca, të shohim si do të shkojë kësaj radhe. Si individ mundesh vetëm të arratisesh deri diku, si komunitet mundesh edhe të qëndrosh deri diku.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *