Përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka ngecur në vitet e fundit, thuhet në draftraportin e Parlamentit Evropian për situatën në vend.

Në dokument theksohet se shqetësimet kryesore lidhen me gjendjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit, ndërsa Serbia përballet me një sërë çështjesh urgjente që duhet të zgjidhen në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Sipas raportuesit për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, vendi duhet të përshpejtojë reformat në luftën kundër korrupsionit, të ulë polarizimin politik dhe të avancojë në përmbushjen e kapitujve negociues për anëtarësim.

Draftraporti nënvizon gjithashtu nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian.

Në dokument përmendet edhe sulmi i armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Parlamenti Evropian kërkon që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës dhe bën thirrje për ndjekjen penale të organizatorëve, veçanërisht të Milan Radoiçiqit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *