Kryeministri i Kosovës tha për RTK-në se drita jeshile për anëtarësim në Këshillin e Evropës pas votimit në Asamblenë e këtij organizmi nuk nënkupton se Kosova duhet të ofrojë një model të menjëhershëm për Asosacionin si kusht për pranimin me të drejta të plota në KE.
Albin Kurti u shpreh se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që cënon sovranitetin e Kosovës.
“Shtetet e QUNT-it mos të kërkojnë më pak për Kosovën se Dora Bakoyannis, ose mos të bëjnë për Kosovën trysni më shumë se ajo (Bakoyannis) që vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Unë nuk bëj hapa që e rrezikojnë sovranitetin, integritetin territorial, kushtetueshmërinë dhe ligjmërinë e Kosovës” – tha Kurti.