Nga Ermal Mulosmani

Sot në mesditë, pas një vuajtjeje të gjatë në reanimacion, ndërroi jetë lideri historik i së majtës shqiptare, ish-kryeministri Fatos Nano. Bashkë me Sali Berishën dhe Edi Ramën, ai është një nga tre emrat dominues të tranzicionit shqiptar. Ai ishte emri i përzgjedhur nga elita komuniste e viteve ’90, me në krye Ramiz Alinë, për të transformuar Partinë e Punës në një forcë politike konkurruese në kushtet e një sistemi të ri politik.

Fatos Nano ishte djali i Thanas Nanos, ish-funksionar i lartë në zyrat e propagandës komuniste. Thanas Nano ishte për 14 vjet drejtor i ATSH-së (Agjencia Telegrafike Shqiptare), 9 vjet drejtor i Radio Tiranës (1961–1970) dhe 4 vjet drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar (1973–1977). Në total, Thanas Nano drejtoi për 27 vjet organet kryesore të propagandës, duke treguar zell dhe përkushtim dogmatik.

Koha gjatë së cilës Thanas Nano shërbeu si drejtor i RTSH-së mbahet mend si periudha më e errët e këtij institucioni (1971–1977). Ai e drejtoi RTSH-në menjëherë pas Festivalit të 11-të, me dorë të hekurt, për të “pastruar” pasojat e parardhësit liberal, Todi Lubonja.

Fatos Nano i ri e fillon jetën publike nën ndikimin e pushtetit të të atit. Sapo mbaron Fakultetin Ekonomik, vetëm 27 vjeç, fillon punë në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, një prej “vendeve të pëllumbave” të kohës, që drejtohej nga vetë bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha. Por, ndryshe nga i ati dogmatik, te Fatosi shquhej menjëherë një frymë liberalizmi modern. Më shumë se liberal, Nano i asaj kohe e pëlqente të ishte një lloj “dandy” i ri tavolinash; atë e tërhiqte sharmi rinor i rebelit, por pa cënuar aspak të mirat që i vinin nga trashëgimia dogmatike.

Në vitin 1990, Fatos Nano ishte pothuajse i panjohur për elitën politike, e aq më pak për publikun shqiptar. Ai ishte një “Demkë” që thurte fjalime për shefa komunistë apo mbronte doktrina ekonomike të dështuara, për të siguruar favoret e një jete pa telashe.

Megjithatë, ambicia politike dhe dëshira për protagonizëm flinin brenda tij. Kur Ramiz Alia e thirri për të zëvendësuar Adil Çarçanin, kryeministrin e fundit komunist, Nano duhet të ketë nuhatur aromën joshëse të një pushteti të lakmueshëm. Me kurajë pranoi të ishte kryeministri që do ta çonte vendin në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991. Ato zgjedhje, të fituara nga komunistët, duket se i siguruan kryeministrit të ri karrigen e lartë të kryetarit të Partisë Socialiste. Ramiz Alia u bind se kishte bërë zgjedhjen e duhur, pas asaj periudhe qeverisjeje 100-ditore.

Nga ana tjetër, Fatos Nano e pagoi shtrenjtë atë qeverisje të shkurtër. Pushteti i fituar në zgjedhjet e vitit 1991 nuk zgjati shumë dhe revanshi i kundërshtarëve politikë ishte i plotë. Në zgjedhjet e 22 marsit 1992, pushteti kaloi në duart e demokratëve të udhëhequr nga Sali Berisha. Ky moment shënon edhe fillimin e një dikotomie politike 13-vjeçare Nano–Berisha.

Nano u akuzua se gjatë atyre 100 ditëve të qeverisjes së tij, me fondin e ndihmave të qeverisë italiane, kishte shkelur procedurat e blerjes së mallrave duke diktuar firmën fituese. Sipas akuzës, firma “Levante Company”, një kompani italo-jugosllave, ishte sjellë në Shqipëri nga Ajdin Sejdia, përfaqësues i Iliria Holding, i akuzuar nga demokratët për favore nga Nano dhe Farudin Hoxha.

Perceptimi publik i kohës ishte se po përgatitej arrestimi politik i kundërshtarit. Fatos Nano u arrestua në zyrën e prokurorit Fatos Dervishi më 30 korrik 1993.

Burgosja e Nanos e ktheu atë në hero për mbështetësit dhe përbënte një moment të fortë kthese në kurbën politike të Partisë Socialiste. Asokohe bënë bujë batutat e tij me prokurorin e çështjes, kur i thoshte:
“Do të takohemi shpejt, kur të jem kryeministër.”
Por ajo ditë nuk do të vinte aq shpejt. Nano u dënua me 12 vjet burg më 3 prill 1994.

Fatos Nano e lë qelinë e burgut të Tiranës gjatë ngjarjeve shkatërrimtare të marsit 1997, pas një amnistie politike që pushteti i brishtë i Berishës shpalli nën presionin e opozitës dhe ndërkombëtarëve. Ai u rikthye triumfator dhe lider i padiskutueshëm në zgjedhjet e vitit 1997.

Megjithë fitoren e thellë politike, Nano tregoi një zemërgjerësi të pazakontë në ndarjen e pushtetit me aleatë të parëndësishëm politikë. Pushteti i erdhi i plotë dhe pa kufizime, por Nano nuk dukej i aftë për ta mbajtur. Jeta e gjatë në burg e kishte lodhur shumë; ai nuk ishte në gjendje të qeveriste një vend të dalë nga kaosi i vitit 1997. Jetonte me delire të tilla si:

“I vetmuar si në burg, nga lartësitë morale dhe intelektuale prej nga qeveris Shqipërinë, i rrethuar nga pleshta e parazitë që meritojnë t’u mbyll çadrën e t’i lë në shi.”
(Edi Rama, Kurban, fq. 137)

Një liberalizëm i shthurur pushtoi administratën e asaj kohe. Kryeministri shpesh humbiste në sallone mondane e hotele luksi, ndërkohë që vendi i tij ndodhej në prag të kaosit. Nano po paguante ëndrrat e ditëve të munguara me haraçin e qeverisjes së shqiptarëve.

Vetëm dy-tre muaj pas fillimit të qeverisjes së tij ndodhi takimi i famshëm Nano–Millosheviç në Kretë, një nga vendimet më të kritikuara të kryeministrit. Mister mbetet nëse ai takim ishte i mbështetur nga aleatët perëndimorë të Shqipërisë apo ishte një vendim i pavarur i Nanos.

Ngjarja që shënoi fillimin e perëndimit politik të yllit të Fatos Nanos ishte padyshim vrasja e Azem Hajdarit. Njerëz me pushtet policor, pjesë e administratës shtetërore, ishin autorët e vrasjes së liderit të Lëvizjes Studentore. Qëndrimi i vakët pas revoltës së dhunshme të opozitës solli dorëzimin e pushtetit nga Nano dhe bjerrjen e themeleve të autoritetit të tij brenda Partisë Socialiste. Rryma të reja ishin gati të përfitonin.

Nano doli nga skena politike pa bujë dhe dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste. U duk se ora e tij politike kishte ndalur së rrahuri, por duket se jeta në hije, pasi kishte provuar shkëlqimin verbues të dritave kryeministrore, ishte e papërballueshme.

Një vit pas dorëheqjes, në vitin 1999, Nano arriti të sfidojë kryeministrin në detyrë, Pandeli Majko, në garën për kryetar të Partisë Socialiste, duke fituar me vetëm 36 vota më shumë. Ky rezultat u arrit falë mbështetjes politike të kundërshtarit më të madh të Nanos brenda partisë. Asokohe Ilir Meta ishte zëvendës i Majkos dhe në dukje njeriu më i afërt i tij. Marrëveshja me Nanon u shpërblye menjëherë me postin e kryeministrit.

Nano u rikthye, por pa lavdinë e para dy viteve. Mbretërimi tani u takonte të tjerëve. Ndaj “Konti i Montekristos” (siç e quan Edi Rama në Kurban) përgatitej për rikthim të plotë. Për më tepër, në jetën e tij kishte hyrë edhe një grua e bukur, Xhoana. Rrëfimet e kohës tregojnë për një Nano të shfrenuar emocionalisht dhe të motivuar për revansh si kurrë më parë. Ethet e pushtetit, të ndihmuara nga gabimet politike të Ilir Metës, e shtynë drejt lëvizjes së njohur si “Katharsis”, ku me një gjuhë therëse e ndonjëherë vulgare, përçmonte anëtarët e lartë të kupolës socialiste, si të ishin hajdutët e Ali Babës.

Nano nuk pyeste më për koston politike. Zgjedhjet e vitit 2001 i dhanë një mundësi të fundit — që nuk mund ta humbiste.

Më mirë se askush tjetër, këtë dalldi të papërgjegjshme Nano–pushtet e përshkruan Edi Rama në Kurban:

“Nëse koha do të kthehej mbrapsht, nuk do ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, […] ai parazit simpatik […] ngjante për kiamet me Fatosin e kohës së ‘katharsisit’ të bubullimshëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë, ku kryetari i Partisë Socialiste i vuri kazmën jo vetëm qeverisë socialiste të Ilir Metës, por edhe partisë që udhëhiqte, madje edhe më thellë, themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend.”
(Edi Rama, Kurban, fq. 62)

Pasojë e lëvizjes “Katharsis” ishte rrëzimi i qeverisë së Ilir Metës dhe ardhja në fuqi për herë të tretë e Fatos Nanos!

Qeverisja e viteve 2002–2005 mund të konsiderohet ndër më të papërgjegjshmet në historinë moderne të Shqipërisë. Nano nuk kishte më synim afirmimin e unit politik përmes ndryshimeve pozitive në jetën e vendit, por vetëm afirmimin e fuqisë mbi njerëzit — sidomos mbi ata që udhëhiqte — ndaj të cilëve ndiente shpesh përbuzje si ndaj “qenieve që nuk e meritonin atë mbi krye”.

Rikthimi i pabesueshëm i Sali Berishës pas ngjarjeve të vitit 1997 është pasojë e drejtpërdrejtë e qeverisjes së dështuar të atyre viteve nga Fatos Nano. Kryeministri jepte shfaqje ekstreme vaniteti në kazinotë e botës, ku biznesmenë dhe grupe interesi paguanin hapur humbjet e tij në ruletë. Një nga përshkrimet më përmbledhëse për Fatos Nanon e ka dhënë Edi Rama në Kurban:

“Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në duart e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde derisa ta marrësh në dorë; por, sapo ta ke në dorë, fillon e e zbërthen copë-copë derisa s’të mbetet gjë.”

Fatos Nano është një personazh kompleks në historinë politike shqiptare. Ai e ka trajtuar pushtetin si mjet dëfrimi, si afrodiziak shpirtëror dhe material, si lodër ekzotike dhe e rrezikshme. Ai u tërhoq nga pushteti sapo ndjeu rrezikun që ai sillte.

Fatos Nano arriti të shkëputej nga pushteti, pikërisht sepse nuk e kishte parë kurrë atë si mjet për të arritur qëllime të mëdha, por si një qëllim të madh për të arritur mjete të vogla.
Sapo mjetet u arritën, qëllimi humbi kuptimin.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *