Sipas raportimit të The Washington Post, autoritetet amerikane kanë zbuluar praninë e disa dronëve me origjinë të panjohur që fluturojnë mbi një bazë ushtarake të ndjeshme në Washington, D.C., ku qëndrojnë zyrtarë të lartë të qeverisë.
Bëhet fjalë për bazën Fort McNair, një objekt me rëndësi strategjike ku ndodhen institucione të sigurisë dhe struktura të rëndësishme ushtarake. Raportohet se dronët janë parë disa herë gjatë natës, në ditët e fundit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë.
Në këtë bazë thuhet se janë vendosur edhe figura të rëndësishme si Marco Rubio dhe Pete Hegseth, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme.
Autoritetet amerikane kanë shtuar masat e sigurisë dhe po zhvillojnë hetime për të përcaktuar origjinën dhe qëllimin e këtyre dronëve. Burime zyrtare bëjnë të ditur se çështja është diskutuar edhe në nivelet më të larta të qeverisë, përfshirë takime në Shtëpinë e Bardhë.
Ekspertët theksojnë se, ndonëse Fort McNair është një bazë e rëndësishme, ajo nuk ka të njëjtin nivel mbrojtjeje si disa instalime të tjera ushtarake, duke rritur kështu rrezikun në raste të tilla.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri të lartë për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm.

