Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u mblodhën në një protestë duke kërkuar të lejohen librat në gjuhën shqipe në institucionet e arsimit në këto treva të banuara me shumicë shqiptare.
Deputeti Shaip Kamberi tha gjatë fjalës së tij se asimetria mes trajtimit të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi është flagrante. Deputeti shqiptar i parlamentit të Serbisë theksoi se shteti serb po punon për asimilimin e shqiptarëve në Luginë.
“Pse po ndodh diskriminimi? Sepse piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë, por nuk kanë arritur asnjëherë të bëjnë shkëputjen me të kaluarën. Nuk arritën që të heqin dorë nga politikat e kaluara. Aq më keq, me projekte si “bota serbe” po synojnë realizimin e synimeve të viteve 90 kudo që jetojnë.
Beogradi po luan me standarde të dyfishta. Kërkon për serbët në shtetet e Ballkanit Perëndimor të drejtat e tyre, por refuzon t’i japë pakicave brenda territorit të vet. Kjo politikë e standarteve të dyfishta duhet refuzuar, jo vetëm për hir të shqiptarëve, por për hir të paqes së qëndrueshme.” – u shpreh deputeti shqiptar.