Nga Klodi Stralla
Ndërhyrja spektakulare në Venezuelë dhe kapja e presidentit të saj, Maduro, i akuzuar si trafikant droge, nga forcat speciale amerikane, e ngjashme me atë të disa viteve më parë ndaj Saddam Husseinit në Irak, Mubarakut në Egjipt apo Kadafit në Libi, shtrojnë përpara opinionit publik, por edhe të “Drejtës Ndërkombëtare”, pyetjen legjitime:
– A ka të drejtë një vend, qoftë edhe një superfuqi si Amerika, të ndërhyjë në vende të tjera sovrane?
Këtu ka dy pikëpamje të ndryshme që burojnë nga dy këndvështrime të ndryshme të realitetit në terren dhe të asaj se çfarë nënkupton “ligji ndërkombëtar”.
Për ta bërë më të kuptueshme situatën, po bëj një krahasim vulgarizues, si ata të fizikës, midis dikujt (një familje) që jeton në një shtëpi më vete dhe fqinjëve (komshinjve) të saj. Ka raste kur ky “zot shtëpie” ndërhyn, vend e pa vend, te fqinjët e tij paqësorë, me ambicien dhe interesin për t’u diktuar atyre vullnetin e vet ose për t’u grabitur pasuritë e tyre; sikundër ka edhe një rast tjetër, kur ai reagon sepse fqinjët e tij, me sjelljet dhe veprimet e tyre abuzive, u shkaktojnë dëme mirëqenies dhe sigurisë së familjes së tij.
Në cilin rast jemi konkretisht? Këtu, mendoj unë, duhet filluar analiza.
Për njërën palë (amerikanët dhe përkrahësit e tyre), këto ndërhyrje janë plotësisht legjitime, madje të domosdoshme. Kushtetuta amerikane i mbron shtetasit e vet jo vetëm kur cënohet siguria e tyre brenda territorit të shtetit, por edhe kur shtete të tjera, me veprimet e tyre, bëhen burim rreziku të shtuar përmes politikave aventuriere që ndjekin liderët e këtyre vendeve, si p.sh. kur bëhen burim financimi për terrorizmin, trafikun e drogës, armëve dhe qenieve njerëzore – dukuri negative me përmasa mbikombëtare, prej të cilave pësojnë edhe qytetarët amerikanë.
Për palën tjetër, çdo shtet është në të drejtën e tij të zgjedhë vetë sistemin e qeverisjes dhe, po ashtu, edhe individët (liderët) që do ta qeverisin atë, madje edhe kur zgjedhjet manipulohen dhe vullneti i zgjedhësve deformohet. Për ta, ndërhyrja në punët e tyre të brendshme konsiderohet e papranueshme, edhe kur liderët e tyre ndërmarrin kurse aventuriere që dëmtojnë fqinjët.
Në cilin rast jemi konkretisht? Unë nuk e njoh Venezuelën, por di të them se Maduro do të dalë përpara një gjykate amerikane, me një akuzë konkrete, dhe do të mbrohet me avokat. Por, nëse dikush, dikur, do të na e kishte rrëmbyer Enverin tonë, si Maduron amerikanët, dhe ta akuzonte se nxit dhe financon komunizmin ndërkombëtar (lexo: terrorizmin), nuk do të kishim vuajtur gjysmë shekulli varfëri ekstreme dhe dënime drastike “për një fjalë goje”. Edhe ai mburrej se ruante sovranitetin (lexo: bëj çfarë të dua me “delet” e mia) nga synimet grabitqare të imperialistëve dhe revizionistëve, që e kishin “halë në sy” përparimin e Shqipërisë socialiste (lexo: feudën e tij).
Kjo ngjarje e sotme me Maduron më solli ndër mend një ngjarje të ngjashme të 2200 vjetëve më parë, të përshkruar me hollësi nga Plutarku, në rastin e mbretëreshës sonë ilire Teuta me konsujt romakë që kishin ardhur në Iliri për t’i kërkuar të kontrollonte detin nga piratët ilirë (nënshtetasit e saj), sepse kjo cënonte interesat e qytetarëve romakë. Është shumë interesante biseda mes tyre:
Teuta: – Ilirët janë qytetarë të lirë dhe nuk është detyra ime t’u diktoj si të sillen.
Konsulli romak: – Tek ne, në Romë, është e kundërta. Neve na ka ngarkuar ligji t’i mbrojmë qytetarët tanë nga çdo lloj kërcënimi, kudo që t’u vijë. Kjo është detyra e shtetit.
Dy vizione të ndryshme për rolin e shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Nuk vonoi shumë dhe Roma e pushtoi Ilirinë, duke i dhënë fund edhe mbretërimit të saj.
Duhet njohur historia që të mos përsëritet!

