Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme foli para mediave në 5-vjetorin e krijimit të strukturës që ai drejton.
Altin Dumani kaloi në sitë punën e SPAK-ut duke nënvizuar se u mundësua goditja e korrupsionit në nivele të larta shtetërore.
Dumani shtoi se 61 zyrtarë të lartë vijojnë të jenë nën hetim dhe se lufta ndaj korrupsionit nuk do të ndalet pavarësisht trysnive prej çdo faktori që synon pengimin e punës së kësaj strukture.
“Në këto 5 vite, sollëm ndëshkueshmëri në nivele të larta të pushtetit. Në përudhën 5-vjecare SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale.
Lidhur me korrupsionin, numërtojmë 1097 procedime penale dhe 1096 persona nën hetim. Nga këto 61 janë zyrtarë të nivelit të lartë. Dhe 70% e tyre janë dërguar për gjykim.
Sa i përket krimit të organizuar, janë proceduar 955 persona nga ku 55% e tyre janë dërguar në gjykim. Në fushën e terrorizmit, janë proceduar 29 persona nga ku 100% e tyre janë dërguar në gjykim.
Në këto pesë vite kemi ndëshkuar zyrtarë të lartë të te gjitha niveleve dhe kemi treguar se korrupsioni sfidohet, krimi i organizuar vihet përpara përgjegjësisë, dhe askush nuk është mbi ligjin.
Misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës. Ne jemi këtu për të garantuar një sistem drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa e vuajtje për të tjerët.
Shpreh mirënjohjen për partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, të cilët qëndrojnë krah për krah me ne, duke mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për hetimet tona të përbashkëtaKorrupsioni dhe krimi nuk mund të zhduken brenda ditës. Por përballë çdo kërcënimi dhe vështirësie, ne qëndrojmë të bashkuar, me një integritet të palëkundur profesional dhe personal.
Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë. Aspirata jonë e përbashkët është të kemi një sistem drejtësie të fortë që u shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.
Nëse dikush mendon se drejtësia është e njëanshme, gabohen. Ne veprojmë bazuar në ligj dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.
Në këto pesë vite kemi mësuar se rruga jonë është sfiduese, por ajo është gjithashtu një detyrë jetike për të ardhmen e brezave që vijnë.
Nëse dikush mendon se drejtësia është e njëanshme, gabohen. Ne veprojmë bazuar në ligj dhe duke respektuar të drejtat e njeriut.”– u shpreh Dumani.