Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, shkroi në rrjetet sociale se puna për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë po ecën sipas parashikimeve dhe se gjithçka pritet të përmbyllet në shtator, kur ura do të hapet për qarkullim të automjeteve dhe këmbësorëve.
“Një muaj e dy ditë prej kur filluam. U betonuan pilotët e betonit, u përgatitën, u armatosën dhe u betonuan themelet e urës, u përgatitën, u armatosën dhe u betonuan shtyllat e urës. Dje dhe sot u vendosën 18 trarë, të cilët ishin përgatitur, armatosur dhe betonuar në një punishte në Bair të Mitrovicës.
Tani na ka mbetur edhe betonimi i pllakës dhe vendosja e shtresës së asfaltit.
Në shtator ura do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve,” – shkroi ai.