Nga Bekim Qoku
Vrasja e vajzës 14 vjeçe na rizbulon dy dukuri. E para, që, megjithëse viktima është e etnitetit maqedonas, të gjithë shqiptarët pa përjashtim këtu shprehën keqardhjen, empatinë dhe solidarizimin lidhur me rastin. Ata tani do të bashkëvajtojnë vrasjen e saj.
E dyta, aq shumë u paragjykuan nga disa media dhe politikanë maqedonas që autorët e rrëmbimit janë shqiptarë, saqë dje prokuroria u detyrua të deklarojë në mënyrë eksplicite që të gjithë të dyshuarit janë të përkatësisë maqedonase.
Ky është një tregues se sa të paskrupullt janë disa njerëz e sa e brishtë është bashkëjetesa ndëretnike këtu. Duhet vetëm një shkëndijë, qoftë për arsye keqkuptimi apo banale, për t’u ndezur një vatër konflikti.
Krimi dhe kriminelët nuk kanë komb e fe. Në Kosovë ishin shqiptarë, këtu maqedonas. Të dyja viktimat ishin të pafajshme. Dy familje u morën në qafë nga lakmia për pasuri.