Nga Dr. Harley Oberhelman

Pavarësisht nëse e keni lexuar Uiljam Folknerin për herë të parë në shkollë të mesme ose e keni dashur, ai njihet në mbarë botën për faktin se e bëri Misisipin në Jugun e pas Luftës Civile, të prekshëm dhe të populluar me llojin më të çmendur të personazheve në letërsi. Kur Gabriel Garsia Markesi e lexoi për herë të parë Folknerin (ai ishte autori amerikan më i përkthyer i brezit të tij) diçka shkrepi. Prej aty u zhvillua një ide derisa u bë, me kalimin e kohës, një kryevepër e kohës dhe vendit për të rivalizuar atë të Folknerit.

GABO TAKOHET ME JOKNAPATOFËN (YOKNAPATAWPHA)

Rreth kohës kur Folkneri po përgatitej të bënte udhëtimin për në Stokholm për të marrë çmimin Nobel, Markesi, një brez më i ri se Folkneri, po fillonte një karrierë të pasigurt në gazetari dhe shkrime letrare në bregun e Karaibeve të Kolumbisë së tij. Atje ai u njoh për herë të parë me tokën misterioze të qarkut të Joknapatofës dhe qytezën e saj kryesore, Xhefersonin. Këto ishin vendet e shumë prej shkrimeve të Folknerit; të dyja u modeluan sipas rajonit verior të Misisipit në brendësi dhe përreth qytetit të Oksfordit ku Folkneri kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës. Ashtu si Folkneri, Markesi shpiku Makondon dhe e mbështeti në të kaluarën e tij, dhe në qytetin e vogël kolumbian të Arakatakas, pranë bregut verior të Kolumbisë, ku ai kaloi fëmijërinë e tij. Folkneri dhe Markesi janë të dy të përkushtuar ndaj luftës së qenieve njerëzore kundër dekadencës shoqërore dhe materiale, shorti i përbashkët që u jepet të gjithëve në qarkun Joknapatafa në qytezën e Makondos.

QYTEZA PARALELE, VIZIONE PARALELE

Markesi e përdor Makondon si një mikrokozmos për studimin e një shoqërie të tërë. Kjo është një teknikë e përdorur nga Folkneri, ai krijoi një vend në të cilin shqyrton Jugun, tragjedinë e tij të madhe dhe sistemin e tij të vlerave tradicionale. Në “Njëqind vjet vetmi”, zhvillimi i familjes Buendía përgjatë gjashtë brezave krijon një paralele me krijimet e Folknerit si Bandrenët, Kompsonët dhe Satpenët – shumë prej të cilëve përsëriten përgjatë veprave të tij. Të dy romancierët ofrojnë një pamje panoramike të rrethit vicioz të luftës civile dhe zvetënimit shoqëror të mishëruar te incestit. Parajsa e Joknapatafës si territor indian i pazhvilluar dhe i Makondos në vitet e tij më të hershme, humbet kur vijnë shfrytëzuesit për të dhunuar pafajësinë e natyrës. Në veprat e të dy shkrimtarëve, komuniteti lufton pasi kanë humbur pafajësinë e dikurshme dhe rindërtojnë jetët e tyre për shkak të saj.

TË LIDHUR NGA “REALIZMI MAGJIK”

Realizmi magjik, domethënë, paraqitja nga një romancier i së pamundurës dhe fantastikes brenda një bote realiste, është i dukshëm në shumë prej shkrimeve të Markesit. Markesi e çon mrekullinë në skaje të largëta te “Njëqind vjet vetmi”: ciganë me qilima fluturues, lule të verdha që bien mbi Makondo si shi, aftësia e ekzagjeruar seksuale e meshkujve Buendia dhe pavdekësia e dukshme e ciganit dhe e patriarkut të lashtë José Arkadio Buendía. Megjithëse Folkneri nuk është një realist magjik, edhe ai gjeti një ndjenjë të mrekullueshme dhe të mahnitshmes në botën e tij e cila është tema qendrore e disa prej veprave të tij më të mira, veçanërisht te “Duke dhënë shpirt”, “Buja dhe tërbimi” dhe “Dritë e gushtit”.

BORXHI I GABOS NDAJ FOLKNERIT

Të dy këta romancierë merren me shoqëri të ngjashme në një kohë kur po përpiqen t’i mbijetojnë efekteve tronditëse të grindjeve civile dhe shfrytëzimit. Megjithatë, në fund të fundit, borxhi i Markesit ndaj Folknerit është i pamohueshëm. Folkneri la si pjesë të trashëgimisë së tij një ton moral dhe standard me të cilin qeniet njerëzore mund të gjykojnë personazhet e tij dhe në fund fare veten e tyre. Besimi i tij në racën njerëzore ishte i dukshëm në fjalimin e Nobelit kur këmbënguli se njeriu jo thjesht do të duronte, por do të ngadhënjente. Folkneri thotë: “Njeriu është i pavdekshëm, jo sepse ai mes krijesave ka zë të pashtershëm, por sepse ka shpirt”. Tridhjetë e dy vjet më vonë më 1982, Markesi përmendi Folknerin në fjalimin e Nobelit ashtu si edhe temën e qëndresës dhe vetmisë te veprat e të dyve. Ai thotë se shkrimtarët do të shpikin një utopi të re, “ku askush s’do të jetë në gjendje të vendosë për të tjerët se si të vdesë, ku dashuria do të jetë e vërtetë dhe lumturia është e mundur”.

Si Markesi edhe Folkneri kërkojnë të kuptojnë gjendjen njerëzore në të gjithë ndërlikueshmërinë e saj. Makondo nuk ekziston më dhe vdekja e Folknerit solli fundin e Joknapatafës, por të dy shkrimtarët besuan para së gjithash te shpresa e cila qëndron në mënyrë të pashmangshme mbi rrënojat dhe hirin e shkatërrimit.

Dr. Harley Oberhelman, është profesor në Universitetin Teknik të Teksasit. Ai e ka përqendruar pjesën më të madhe të studimeve të tij rreth Markesit në magjepsjen e tij pas mjeshtrit të letërsisë amerikane. “William Faulkner dhe ngjashmëritë në veprat e të dy shkrimtarëve”. Ai ka shkruar edhe studimin “Prania e Faulkner-it në shkrimet e García Márquez-it dhe “William Faulkner-i dhe Gabriel García Márquez-i: dy laureatë të Nobelit”. Dr. Oberhelman ka pasur kënaqësinë jo vetëm të takohet personalisht me García Márquez-in në një simpozium të veçantë për studiues në vitin 1996, por edhe të vizitojë Kolumbinë, vendin e lindjes së autorit.

Përktheu: Granit Zela

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *