Në vitin 2026, çmimet e karburanteve në Shqipëri pritet të shënojnë dy rritje, pas vendimeve fiskale të parashikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Sipas relacionit të projektbuxhetit, qeveria planifikon indeksimin e akcizës me 1.5% që nga janari, si dhe rritjen e taksës së karbonit nga 3 lekë/kg në 4.5 lekë/kg duke filluar nga korriku. Të dyja këto masa do të ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin final të naftës dhe benzinës, duke prekur si qytetarët, ashtu edhe bizneset.

Ministria e Financave parashikon se këto politika fiskale do të sjellin rreth 667 milionë lekë të ardhura shtesë për buxhetin e vitit 2026. Nga kjo shumë, një pjesë lidhet me indeksimin periodik të akcizës, ndërsa rritja e taksës së karbonit do të sjellë rreth 84 milionë lekë të ardhura shtesë, përfshirë TVSH-në nga importi.

Në praktikë, për qytetarët do të ketë dy rritje të çmimeve gjatë vitit: faza e parë në janar, me indeksimin e akcizës, dhe faza e dytë në korrik, pas rritjes së taksës së karbonit. Kjo do të rrisë kostot e transportit, prodhimit dhe të mallrave bazë, duke shtuar presionin inflacionist në ekonomi.

Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në botë, për shkak të ngarkesës fiskale mbi 60% të çmimit të një litri, ndërkohë që të ardhurat për frymë janë të ulëta. Rritjet e parashikuara për 2026 pritet të kenë efekte zinxhir, duke ndikuar tek kostoja e energjisë, transportit dhe produkteve të konsumit të përditshëm, duke e bërë jetesën më të shtrenjtë për qytetarët.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *