Nga Arbër Zaimi

Edon Zhegrova do të jetë lojtar i Juventusit. Kjo lëvizje domethënëse për karrierën e tij dhe për futbollin kosovar, u lehtësua nga marrja me shpejtësi e pasaportës shqiptare. Klubet italiane e kanë të lejuar nga federata e tyre të regjistrojnë deri në një shtetas të Shqipërisë njësoj si të ishte komunitar. Që të përfitonte nga ky rregull Zhegrova, me procedura të përshpejtuara presidenti Bajram Begaj i dha shtetësinë. Shqipëria veproi pa ndonjë interes egoist, siç akuzojnë sa herë ka mundësi ata që e kanë në shpirt ideologjinë anti-Shqipëri.

E ngjashme për nga fryma është edhe veprimtaria e drejtuesit me përvojë, Igli Tares, i cili me të vajtur te Milani gjeti mënyrën për të afruar një futbollist të talentuar shqiptar si Jashari, që luan për Zvicrën. Edhe më parë Tarja kur drejtonte Lazion afroi futbollistë shqiptarë të të gjitha trojeve, pa e parë se në ç’kombëtare luanin. Jo të gjitha dolën përvoja të suksesshme, megjithatë s’do fort mend për ta lexuar busullën e brendshme të Tares e cila sigurisht balancohet prej profesionalizmit të spikatur që ia njohin kolegët e fushës së vet.

Këto dy gjeste nuk kanë patur nevojë për tamtame e as për deklarata apo shqiponja me gishta. Janë vetëm grimca të vogla, por tregojnë kah është orientimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ne do të donim që kjo frymë të mos ishte megjithatë vetëm si qasje vullnetare që del në media kur kemi të bëjmë me njerëz të njohur, por edhe e rregulluar në sferën e institucioneve që u shërbejnë pérditë njerëzve të thjeshtë.

A ka që punojnë kundër kësaj? Historia na tregon se nuk mungojnë as andej e as këndej, shpesh dinë edhe të lyhen kuq e zi, por ata s’i lëviz zemra, i lëviz dinari.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *