Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në polici dëshmitë që, sipas saj, lidhen me parregullsitë në matjen e energjisë elektrike nga disa njehsorë të rrymës. Lajmi u bë i ditur nga anëtari i kësaj partie, Visar Azemi.

Sipas tij, nga verifikimet e bëra më herët nga LDK-ja, një numër i madh njehsorësh dyshohet se kanë llogaritur gabim konsumin e energjisë, duke e faturuar atë me tarifë më të shtrenjtë edhe gjatë orëve kur qytetarët mendojnë se po shfrytëzojnë tarifën më të lirë të natës.

Azemi tha se, nga 884 njehsorë të kontrolluar nga kjo parti, rreth 87 për qind prej tyre kanë rezultuar me devijime në llogaritje, duke ngritur dyshime për mbifaturim të konsumatorëve.

Pas publikimit të këtyre pretendimeve, Ministria e Industrisë ka formuar një komision të posaçëm për verifikimin e pajisjeve të dyshuara. Ndërkohë, numri i ankesave të qytetarëve lidhur me faturimin e energjisë elektrike ka kaluar mbi 500.

Përmes dorëzimit të dosjes në polici, Azemi i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë që të nisë hetime për këtë çështje dhe të sqarojë nëse qytetarët janë dëmtuar financiarisht nga funksionimi i gabuar i njehsorëve. Ai theksoi gjithashtu se çdo qytetar i prekur nga ky problem duhet të kompensohet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *