Disa tregtarë të zonës së tregut të “5 Majit” kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me zjarrin e rënë së fundmi në këtë zonë, duke pretenduar se flakët mund të jenë vënë qëllimisht. Sipas tyre, pas ngjarjes fshihen interesa ndërtimi, pasi në këtë territor prej kohësh përflitet për projekte të reja me pallate.
Burime shprehen se bizneset që ushtronin aktivitetin në ambiente me qira nuk kanë pranuar të largohen apo të “hapin rrugë” për projektet e reja, çka sipas tyre mund të ketë sjellë presione të vazhdueshme. Ata e cilësojnë zjarrin si një akt barbar, që synon largimin e detyruar të bizneseve dhe pronarëve nga toka dhe ambientet e tyre.
“Tashmë djegia po kthehet në një metodë presioni, sa herë që dikush nuk pranon të lërë pronën e vet për t’ia dhënë ndërtimit masiv,” shprehen tregtarët, duke kërkuar hetim të plotë dhe transparencë nga autoritetet.
Deri më tani, institucionet zyrtare nuk kanë dhënë një deklaratë përfundimtare mbi shkaqet e zjarrit, ndërsa pritet që hetimet të sqarojnë nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo me një akt të qëllimshëm.

