UEFA e caktoi si arbitrin e finales së Ligës së Kampioneve mes Mançester Sitit dhe Interit, por pozitat e gjyqtarit polak, Simon Marçiniak duken disi të lëkundura pak ditë para finales.
Disa media e kanë akuzuar gjyqtarin se ka përkrahur parti dhe organizata antisemite dhe homofobike.
Marçiniak i mohoi akuzat duke theksuar se nuk ka pasur asnjëherë qëndrime të tilla.
“Në lidhje me raportimin mediatik, deklaroj se nuk kam mbështetur apo legjitimuar kurrë asnjë parti, organizatë politike apo politikan individual dhe distancohem fuqimisht nga çdo pikëpamje, deklaratë dhe veprim ekstrem, racist apo antisemit.” – u shpreh Marçiniak.
Simon Marçiniak gjykoi dhe finalen e botërorit në Katar mes Francës dhe Argjentinës dhe vlerësohet si një ndër arbitrat më të mirë në vitet e fundit.