Pas humbjes zhgënjyese ndaj Polonisë, trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur për performancën e ekipit dhe të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.
Tekniku brazilian u shpreh se skuadra zhvilloi një ndeshje të mirë dhe zbatoi në fushë atë që ishte planifikuar, por theksoi se momenti vendimtar ishte pamundësia për ta mbyllur ndeshjen pas kalimit në avantazh. Ai shtoi se përballë kishin një kundërshtar me eksperiencë ndërkombëtare dhe me lojtarë cilësorë, çka ndikoi në përmbysjen e rezultatit.
Sylvinho vlerësoi maksimalisht përkushtimin e futbollistëve, duke theksuar se ata dhanë gjithçka në fushë dhe meritojnë respekt për paraqitjen. Megjithatë, ai pranoi se eliminimi është një mundësi e humbur për të shkuar më tej në rrugëtimin drejt Botërorit.
Në lidhje me të ardhmen, trajneri bëri të ditur se kontrata e tij përfundon në muajin korrik dhe se çdo vendim për vazhdimësinë do të merret pas këtij afati, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime në pankinën e Kombëtares.

