Nga Arbër Zaimi
Hans J. Morgenthau shkruante tek eseja “E keqja e politikës dhe etika e së keqes” se historia e mendimit politik është histori e vlerësimit moral të pushtetit politik. Bën vaki, thotë ai, që në kohë të caktuara pushtete të caktuara të jenë moskokëçarëse ndaj etikës, shpesh duke e justifikuar veten përmes paragjykimeve shkencore. Megjithatë, çështjet morale gjithsesi ngrenë zë dhe lypin përgjigje, lypin veprim. Veprimi moral, sipas teoricienit të realpolitikës, vjen pas peshimit të vetëdijshëm të përparësive dhe pengesave që lidhen me veprimin e planifikuar, pra pas një bilanci e një planifikimi sa më mirë që mundesh.
Nga ky mendim i Morgenthaut mund të shtjellojmë se s’është veprim moral thjesht të thuash atë që duhet, apo të vërtetën, sa për t’u ndier mirë vetë, as të çohesh si i dëshpëruar kundër gjithë gjasave. Veprimi i vërtetë moral është strategjizimi që ndërton peshë për të drejtën e të vërtetën dhe e çon atë në pozitën nga ku mund t’i japë formë realitetit.
Rrjetet sociale dhe përgjithësisht industria e medias e ajo e spektaklit e ftojnë njeriun të bëjë të kundërtën. Të shprehet, të shfryhet pa u menduar, ta ngrejë shqetësimin e vet pa e vrarë mendjen se si mund të organizohet apo të planifikojë për ta zgjidhur atë shqetësim. Në një farë mënyre rrjetet sociale dhe media, përmes treguesve sasiorë si shikimet, shpërndarjet, klikimet e pëlqimet, e ftojnë njeriun të veprojë kundër moralit teksa e bëjnë të ndihet i moralshëm, e lënë të jetë i vetmuar teksa e bëjnë të ndihet i shoqëruar.