Milani dhe Roma nga Seria A, bashkë me Uest Hemin në Premier Ligë kanë shfaqur interes për transferimin e Armando Brojës, por duket se Mauricio Poçetino nuk po lejon avancimin e asnjë tratative.
Tekniku argjentinas i bluve të Londrës tha në konferencën e shtypit me gazetarët se ai ka besim te Broja dhe klubi po pret për riaftësimin e plotë të tij për t’i dhënë besimin e duhur në fushë.
“Ne po punojmë padyshim dhe po shohim çdo lloj opsioni që mund të shfaqet në merkato. Por mendoj se njëkohësisht, duhet të hedhim një sy mbi Armando Brojën. Ne besojmë me të vërtetë te ai, e dimë se sa i rëndësishëm mund të bëhet për Çelsin.
Gjithashtu duhet të tregohemi të kujdesshëm, mendoj se është një zhgënjim i madh situata me Nkunku, pasi ai duhet të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe të ndihmojë Xhekson të shënojë gola.
Duhet të jemi të durueshëm, të përshtatim skuadrën tonë dhe të marrim rezultate pozitive, ndërsa presim që Armando të jetë plotësisht i shëndetshëm.”- tha Poçetino.