Nga Adem Demaçi

“Ne, as sot nuk jemi të lirë, nuk jemi subjekt i pavarur që mund të merremi me zhvillimin tonë. Sepse, edhe sot e kësaj dite, ne jemi objekt i trajtimit të bashkësisë ndërkombëtare. Por tash, shtrohet pyetja, kush është dhe çfarë është kjo “bashkësia ndërkombëtare”? Nëse i shkojmë deri në fund analizës, atëherë vijmë deri te esenca e fenomenit. “Bashkësia ndërkombëtare”,  në të vërtetë, është një sintezë

 heterogjene interesash ndërkombëtare.

 Rreth Kosovës janë shtetet fqinje, me interesa të fokusuar mbi Kosovën. Prapa fqinjëve tanë qëndrojnë shtete që kanë fokusuar interesat e veta mbi Kosovën nën dritën e interesave të tyre mbi rajonin e Ballkanit. Pas tyre janë shtetet që shikojnë interesat e tyre në kontinent dhe Kosovën si një “pikë” të destabilizuar. Dhe në fund janë pesë Fuqitë e Mëdha, me të drejtë vetoje në OKB, të cilat gjithashtu vëzhgojnë me kujdes, se mos zhvillimet në Kosovë mund të rrezikojnë interesat e tyre globale. 

Pra kahdo që të shikojmë, interesa, interesa. Të gjithë shtyjnë interesat e veta, të gjithë përkrahin interesat e veta, të gjithë  pa përjashtim – shikojnë e mbrojnë interesat e veta. E kush i mbron interesat tona? Bashkësia ndërkombëtare? Po a thamë se Bashkësia edhe vetë është një sintezë interesash heterogjenë. Po si t’i mbrojnë  ata interesat tona, kur në rend të parë çdokush prej tyre shtyhet që t’i mbrojë interesat e veta. E ne si do kalamaj, presim e presim që dikush tjetër të përpiqet për interesat tona.

 Ne i qesim do firma në disa dokumente që na i hartojnë miqtë tanë dhe u themi atyre me nonshallancë: ”Ja nënshkrimi ynë zotërinj të nderuar, dhe ju tash punoni për Kosovën, kurse ne kosovarët do të punojmë së pari secili për veten e vet, pastaj për familjet tona e më në fund për Kosovën! Dhe miqtë tanë ndërkombëtarë thonë “okej” zotërinj kosovarë dhe i hyjnë punës. Së pari punojnë për veten e vet, për familjet e veta, për shtetet e veta dhe krejt në fund diçka edhe për Kosovën!”

Adem Demaçi – Pjesë nga libri  “Liria dhe joliria”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *