Nga Behar Gjoka
Vepra e “E mbsuame e krishterë”, botuar në vitin 1592 në Romë, është përkthim nga italishtja i librit të jezuitit Landesma. Tekstet që trashëgojmë prej tij, ndërkohë përbëjnë zanafillën e shkrimit të arbërishtes, gjë që vihet në dukje nga Mario Roques , teksa shprehet: Vepra e tij, me gjithë përmasat e kufizueme, a^sht me interes si dokumenti ma^i vjetër i shqipes jugore i bartun në Itali. Afërmendësh, që ndërmjet shenjave që ngërthen, është hedhur dritë:
– Fakt historik, i shkrimit të arbërishtes, që pason Meshari-n e Gjon Buzukut, të vitit 1555. Nëse Meshari, e shkundi nga mugullimat e kohës gjellimin e shqipes, në vazhdimësi, vepra e “E mbsuame e krishterë”, e Matrangës, i zgjeroi hapësirat e shqipes së shkruar. Vepra e Matrangës, themelhedhës i variantit të arbërishtes së zonës së Horës, u bë vatra përlindëse e shqipes. Materia gjuhësore, është vështruar, në dy aspekte:
a. Fakt i lëvrimit të shqipes, që buron prej rrethanave të Kundërreformacionit, gjë që përforcohet tash së fundi, nga Matteo Mandala : Prej këtej rrjedh vendimi në thelb risor për të reformuar rrënjësisht praktikat e mësimndhënies dhe të predikimit, fillimisht duke lejuar perdorimin e gjuhëve kombëtare në mësimdhënien gojore të katektizmit, e më vonë duke autorizuar përkthimet e teksteve të katekizmit, nën kontrollin e rreptë të censurës kishtare.(bazuar në librin Mbi plitikën gjuhësore të konciliti të Trentos
b. Paraqet nevojën e përkthimit të katekizmave, breviarëve, doktrinave fetare.
c. Fakt i dokumentimit të shkollës së parë shqipe. Ky moment përmendet nga Dr. Jashar Rexhepagiç , Mendim pedagogjik hasim edhe në “Katekizmin” e arbëreshit Lekë Matrënga, i cili e përktheu këtë vepër…Ky formulim ka rëndësi të posaçme pedagogjike dhe ka këtë përmbajtje: “Unë sa të jamë gjallë nuk do të mongoj … të ndihmoj fëmijët për hirë të tyre të bëhem edhe vetë fëmijë që ata të përfitojnë sa më shumë.
d. Fakt i fillesave të traditës letrare të variantit të arbërishtes. Prania e letrares në shkrimin e Matrëngës, gjallon në dy esencat shkrimore:
A – Pjesa e materies, që përfshin poezinë Këngën e Përshpirtshme.
B – Në letrën kushtimore, ku evidentohet natyra dhe qëllimi i veprës së botuar prej tij.
Studimet e kryera, nga filologët dhe albanologët, qysh nga G. Petrotta , M. Rokue , E. Çabej , S. Riza, R. Smajli etj. , për të mbërritur te botimi monografik, i të gjithë varianteve të veprës së Matrëngës, nga Matteo Mandala , kanë hedhur dritë mbi shumicën e çështjeve, si lëndë gjuhësore. Studimet letrare, kanë shansin, për të përcaktuar tiparet fillimtare të traditës letrare të variantit të arbërishtes.
Letërsi e kontekstit
Ndaj letërsisë së vjetër, është ecur në dy binarë:
– Lexim antifetar, utopik dhe ideologjik, në mjediset e Shqipërisë, që ka theksuar shenjat historike dhe gjuhësore.
– Lexim fetar, brenda kontekstit fetar, që merr udhë qysh me përcaktimin e letërsisë së vjetër, pra edhe të veprës “E mbsuame e krishterë” të Lek Matrëngës, si filobiblike.
Me gjasat e krijuara në parashtrimet e reja, teorike dhe praktike, për të lexuar veprat e Buzukut, Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit, Kazazit, Varibobës e të tjerë, ka hapësira për të zbuluar kumtet që bartin. Rrethanat historike dhe fetare, gjuhësore dhe letrare, që sollën botimin e veprave, e pamundësojnë funksionimin jashtë këtyre konteksteve, si proces leximi. Kontekstet botuese të veprave, lidhen:
– Me Kundërreformacionin e kishës për lejimin e gjuhëve amtare.
– Bashkë me lejimin e librave, kisha kalotike, normativizoi karakterin kontrollues, të institucionit të censurës. Kuptohet se kemi literaturë specifike:
– Të kontekstualizuar për nevojën e kishës, për të zgjeruar komunikimin me grigjën.
– Të materies së bashkëshkruar, fetare, diturake, shkencore dhe letrare.
Literatura e kësaj atmosfere, ku përfshihen librat e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, shpalohet me anë të variantit të gegnishtes, ndërsa Matranga lavron arbërishten. Pohimi i I. Rugova : Po ashtu duhet që kjo letërsi të bëhet objekt studimi jo vetëm i gjuhësisë historike dhe i historisë së letërsisë në plan serik, po edhe objekt i kritikës, i intrepretimit dhe teorisë së letërsisë… Në librat e shekujve 16 dhe 17, ka mundësi që të ndeshemi me dy rrethana:
Së pari: Lartësynimi për t’i verifikuar si gjithëvlerësi e bashkëshkruar.
Së dyti: Heqja dorë nga hamendësimet, e mungesave të vlerave letrare.
Konteksti leximor, varësisht teorive letrare moderne, na mundëson shansin që të nisim leximin real të kësaj trashëgimie:
– Braktisja e leximit antifetar të kësaj trashëgimie, pra edhe të veprës së Lek Matrëngës.
– Riformulimi i optikës së leximit fetar/biblik, të kësaj trashëgimie, të materies së veprës “E mbsuame e krishterë”, në kontekstet e leximit të tekstit, të rrafsheve tërësore të kësaj vepre. Leximi, biblik, pavarësisht arritjeve, në një kuptim e mban të mbyllur këtë trashëgimi, në kontekstin e kohës shkrimore dhe të një leximi tematik.
Teksti poetik i Matrëngës
Vargjet e Këngës së Përshpirtshme, përfaqësojnë të vetmen pasuri poetike, që është shkruar në shqip dhe latinisht, përcjellin këtë situatë:
Gjithëve thëres, kush do ndëlesë,
të mirë të krështë, burra gra,
mbë fjalët e Tinëzot të shihi meshë,
se s’ishtë njerii nesh çë mkatë s’kaa;
e lum kush e kujton se ka te vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bljr të tij e për vëlla.
Kemi një poezi fetare, në frymë dhe mesazh, në teknikën shkrimore, e cila përbëhet nga tetë vargje, e realizuar me numër rrokjesh të ndryshme, ku mbizotëron përdorimi i njëmbëdhejtërrokshit. Vepra monumentale “E mbsuame e krishterë”, e Lek Matrëngës, materia e vargjeve, ofron një situatë specifike, të bashkëshkrimit sinkretik, që ngërthen disa tipare:
– Me këto vargje, dokumentohet poezia e kultivuar në letrat shqipe.
– Me librin e parë të arbërishtes, lajmërohet një situatë e shkrimit të poezisë, që përçon vlera estetike, me veprën e Jul Varibobës, Jeronim De Radës, Zef Serembes, Zef Skiroit etj.
Duke bartur këto atribute, tashmë del si parësore, analiza e vargjeve në rrafshet përbamëse:
A – Përmbajtësore: Një materie fetare, në formën e lutjes.
B – Utilitare: Të mundësojë përjetimin e besimit si akt pastrues dhe shpëtimtar.
C – Artistike: Të ekzistimit të poezisë, në bashkëlidhje fetare me vlerën artistike.
Marrëdhënie e vlerës së këngëtimit, me dobinë e këngëtimit në vargje, mundëson hyrjen në marrëdhënie të kësaj natyre, ku poezia dhe vargjet ndikojnë për të përçuar uratën e Perëndisë.
Letra kushtimore
Pjesë e trashëgimisë së autorit, hyn edhe letra kushtesë, që sjellë atmosferën e kohës, situatën e nevojës për hapjen e shkollës shqipe:
– Mbi përpjekjet e shkrimtarit për të realizuar me çdo çmim përkthimin e këtij katekizmi.
– Lidhja e librit me nevojën që të shërbente si libër për djemtë dhe vajzat e krahinës, që të mësonin më lehtësisht doktrinën e krishterë, por edhe që të shkruanin gjuhën shqipe.
– Ndryshimet e bërë në drejtëshkrim, sidomos mbi diftongun, domethënë o a, o e, o u,.
Epistolari, ku përfshihet edhe letra e kushtimit e autorit, ishte një komunikim personal, pra thelbësisht autorial. Prandaj, mbas pasthënies së Mesharit, Kushtimorja e Matrëngës, është dëshmia e dytë e shkrimit të prozës autoriale në gjuhën shqipe, që mandej me P. Budin, epistolari shndërrohet në një komunikim organik, duke shkuar në 171 faqe prozë, të konceptuar si epistolar. Megjithatë, vlera e fillesave të traditës letrare, mbetet e lidhur ngushtësisht me natyrën e katekizmit. Kjo situatë mbrohet nga Matteo Mandala , ku theksohet: Qoftë Letra e kushtimit, qoftë edhe versioni shqip i Këngës së përshpirtshme, përputheshin me praktikën e botimit të Doktrinës së krishterë të Ledesmës. , që do të thotë ka udhë të gjatë për të mbërritur tek pranimi i shenjave letrare të pranishme në veprën e Matrëngës.