Studiuesja Ledi Shamku Shkreli , ka reaguar pas publikimit të disa dokumenteve ku shpaloset veprimtaria agjenturore e gjuhëtarit Gjovalin Shkurtaj, i cili gjatë kohës që shërbente si atashe i Shqipërisë në Romë, spiunonte kundërshtarët e regjimit komunist në emigracion. Në reagimin e saj, Shamku ironizon hierarkinë aktuale të Akademisë së Shkencave, duke kërkuar për të disatën herë reformimin real të këtij institucioni.
Shamku publikoi një shkrim të NewsBomb në të cilin ofrohen dokumente se si Gjovalin Shkurtaj, pjesë e Akademisë së Shkencave, raportonte në Tiranë për aktivitetin e emigracionit antikomunist në Itali. Veprimtaria e Shkurtajt rezulton të jetë kryer pikërisht në grahmat e fundit të regjimit në Shqipëri, kur shqiptarët kishin hyrë në ambasada dhe kur pak prej tyre ishin arratisur drejt Italisë.
Reagimi i Ledi Shamkut Shkreli
SIGURIMSAT E AKADEMIZMËS
(Dhe nevoja e një vetingu në Shkencë)
Jam e neveritur deri në palcë! Sapo lexova këtë shkrim ku publikohet dhe zbardhet fakti se si një gjuhëtar e akademik, madje akademiko-gjuhëtari kryesor i Akademisë së Shkencave paska qenë një Sigurims gjatë kohës që ka shërbyer në Ambasadën e Romës. Madje një Sigurims i Përbetuar ngaqe vijon të informojë (dhe e bën me një gjuhë neveritëse) edhe në fundkorrikun e 1990 pasi qenë shpëthyer Ambasadat dhe regjimit ia kish marrë ferra uratën.
Ky person dy ditë më parë, si PËRFAQËSUES I AKADEMISË SË GJINUSHIT, organizonte e ndante çmime për arbëreshet dhe drejtshkrimin. Ndëkohe që siç edhe lexoni këtu me poshtë, njeriu që sulmon e spiunon e damkos është pikërisht arbëreshi Antonio Belushi, një nga PUNËTORËT MË TË DASHUR NË PUNË TË GJUHËS E TË SHPIRTIT ARBËRESH.
Ja si shkruan për të e për ta ky Akademiku Emeritus i Gjinushit:
“[…] u ngrit deri në qiell “kori” i priftërinjve dhe i klerit reaksionar arbëresh e më gjerë, duke penetruar në kampin e refugjatëve shqiptarë për t’i pritur ata me këngë “Moj e bukura More”, siç bëri Antonio Belushi, ithtar e zbatues i zjarrtë i urdhërave të peshkopit të Ungros, Lupinaçi”,
SA KRUPË E SA NEVERI! Sa tallje e keqe me mikpritjen arbëreshe! Sa mjerim akademik! Sa rrezik për Albanologjinë prania dhe orekset shpifarake të Akademizmës, që i qasen asaj sërish me këto duar historikisht të ndyta. Dua me këtë rast t’i pyes edhe dy akademiket arbëresh a ndjehen në paqë me veten përballë faktesh të tilla?
Çdo gjë e ka një cak ama! NDAJ I KËRKOJ OPINIONIT PUBLIK SHQIPTAR DHE ÇDO ORGANIZMI ETIK E LIGJOR QË RREGULLON JETËN NË VEND: A mund te kalohet edhe kjo gjetje antiligjore në heshtje? Sigurisht që ky vend ka ligje per bashkëpunëtorët! A thua AKADEMIA E SHKENCAVE ËSHTË E VETMJA E LEJUAR TI SHKELË SI TË DOJË E SA HERË TË DOJË LIGJET E SHTETIT?
Akademia e Shkencave sot është para një detyrimi:
Të distancohet prej sigurimsave ose të shpallë publikisht se është palë me ta.
Ndonëse jam e bindur se do zgjedhe të dytën, pasi duke u kryesuar nga Ministri i Diktaturës, e duke pasur non-grata e teritalsa në kryesim të saj, ajo KA LINDUR SI PALË. Palë me kohën më të keqe, e që vijon ende të lakmojë ta zerë Qiellin e Shqiptarëve: Gjuhën dhe Kulturën Shqipe.
Jam e neveritur në koc nga këto Metastaza të Akademizmës. Lexoni sesi raporton Akademiku.
JA, KY ËSHTË REFORMIMI I AKADEMISË SË SHKENCAVE!