Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, prezantoi strategjinë e qeverisë së tij për çështjen e targave të automjetëve të qytetarëve me përkatësi serbe në Kosovë. Pasi la afatin e fundit me 31 tetor për konvertimin e targave të vjetra në ato RKS, Kurti bëri të ditur se pas kësaj date nis faza e parë e përmbylljes së këtij procesi, ku qytetarët që nuk e kanë kryer këtë proces do të marrin vërejtje. Hapi i dytë do të jetë gjobitja e refuzuesve të zbatimit të ligjit, ndërsa hapi i tretë përcakton sekuestrimin e çdo automjeti që nuk i nënshtrohet procesit të konvertimit të targave. Kreu i ekzekutivit në Kosovë sqaroi se ky proces do të shtrihet në kohë duke lënë si afat të fundit muajin prill të vitit të ardhshëm. “ I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntori 2022 deri më 21 janar 2023. Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas 21 prillit 2023 nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale.“ – shkroi Kurti në profilin e tij në fejsbuk.

Sakaq, kryeministri i Kosovës shtoi se ky vendim i shërben njëkohësisht vullnetit ligjzbatues dhe nevojës për paqe dhe stabilitet në vend.

Shumë analistë në Kosovë po e interpretojnë këtë vendim për targat si tërheqje nga qëllimi i konfiskimit të menjëhershëm të automjeve me targa ilegale duke nisur nga data 1 nëntor. Ishte emisari i SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Eskobar, i cili kërkoi shtyrjen e afatit për konvertimin e targave. Ky vendim i qeverisë së Kosovës duket të ketë marrë në konsideratë propozimin
amerikan.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *