Nga Enver Bytyçi
Po dëgjoj mikun tim nga më të mirët, Dr. Arian Starova, i cili ne intervistë me gazetarin prominent, Franko Egro, thotë se “Unë jam për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë”! Eshtë një qasje kjo e hershme e tij, gjë për të cilën kemi debatuar shumë vite më parë. Por po reagoj publikisht, për shkak se sot për herë të parë e dëgjoj ta bëjë publike pikëpamjen e tij. Marrëdhëniet e mia me zotin Starova kanë qenë prej dekadash shumë të ngushta, miqësore e vëllazërore. Uroj të mbeten të tilla gjithmonë. Por nuk mund të hesht.
Arsyetimi i zotit Starova për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mos ishte i ngjajshëm me arsyetimet e protagonistëve të ndarjes së Kosovës, si Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu e të tjerë. Nuk ka asgjë të keqe të bëhesh pjesë e ideve dhe arsyetimeve të personave të lartpërmenduar. Por ka disa argumente të tjera që e hedhin poshtë këtë tezë zgjidhjeje të konfliktit shqiptaro-sllav:
Së pari, ne e dimë se askush nuk e synon pushtimin e Saharasë. Sepse aty nuk ka pasuri. Ndërkaq Patrick More, që në vitin 2004 i thoshte Radios Evropa e Lirë, se Serbia në Kosovë nuk interesohet për kishat dhe manastiret ortodokse serbe, por për pasuritë e saj. Se ndarja e Kosovës i jep Serbisë territorin më të pasur të Ballkanit, kjo tashmë nuk do koment. Nuk e di se si një njohës kaq i mirë i rajonit barazon tokat e shkretinat e Preshevës me pasuritë e Trepçes, të cilat kanë mbajtur në këmbë Jugosllavinë!
Së dyti, zoti Starova e arsyetoi shkëmbimin e territoreve me trajtimin diskriminues të shqiptarëve në Preshevë dhe për ta zgjidhur këtë problem, tha duhet shkëmbimi i territoreve. Por Dr. Starova e njeh shumë mirë politikën dhe diplomacinë serbe. Eshtë njohës i politikave të jashtme. Ka qenë ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Megjithatë nuk ka mësuar prej asaj që shkruajnë Rrok Mirdita dhe Pjetër Arbnori, të cilët thonë se “Serbët në turrin e parë të marrin plaçkën, a tokën që i kanë vënë syrin. Po t’u thyesh hundët tërhiqen menjëherë. “Keqkuptim, keqkuptim” thërrasin. Në qoftë se mjaftohesh me protesta, të nxjerrin argumente nga më të pabesueshmit. Po t’i kërcënosh e presin hovin dhe thonë “Ne jemi për paqen, jemi për bisedime, le t’i shtrohemi pleqnisë”. Po e hëngre të bisedosh me ta, e tjerrin punën tortë, sa të vjen te hunda. N’u tregofsh i fortë në bisedime, ata lidhin paqe me ty.
Por si rezultat i paqes ata nuk dalin kurrë me humbje, sepse ti harron se në sofër të bisedimeve është malli yt, jo i atyre. E shumta, e shumta, ata do të humbasin atë që ta kanë grabitur në fillim, gjë që s’është humbje. Ose pranojnë ta ndajnë thelën me ty dhe atëherë të thonë me të qarë, se po bëjnë një sakrificë për hir të paqes. Kështu ata ndahen me fitim dhe përgatiten për një grabitje të re edhe më të madhe”!
E citova këtë shënim të të madhit Pjetër Arbnori, për t’i thënë mikut tim, zotit Starova, se ju e njihni Ballkanin, por mesa duket nuk i njihni serbët. Mund t’ia kujtoj Dr. Starovës se këtë taktikë e kanë ndjekur serbët që në mesjetë në marrëveshjen midis Uroshit të Dytë dhe perandorit bizantin, Andronik, kur kishin vënë në tavolinën e bisedimeve trojet shqiptare. Paqja serbe është kushtëzuar dhe vazhdon të kushtëzohet me trojet e shqiptarëve. Nuk po e zgjas më shumë këtë pjesë.
Së treti, zoti Starova tha në emisionin e Egros, se Gjermania mendoi gabim, kur tha se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do përbënte një precedent të rrezikshëm. Por nuk dha ndonjë argument provues. Mesa shoh, Dr. Starova jo vetëm ju beson serbëve aq shumë, por nuk e beson faktin që na dëshmohet çdo ditë, përpjekjen e Beogradit për shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si kusht për krijimin e Serbisë së Madhe.
Dhe së fundmi, Dr. Starova tha “Le të nënshkruhet një marrëveshje e tillë dhe Serbia ta njohë shtetin e Kosovës”! Edhe këtu duket se ai nuk është i vetëdijshëm se ndarja e Kosovës çon automatikisht në zhbërjen e shtetit të saj. Sepse një Kosovë, pasuritë e së cilës i merr Serbia, nuk mund të garantojë mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët e saj. Pra, bëhet jo funksional dhe do detyrohet të përfundojë sërishmi nën sovranitetin serb.
Nuk mund ta fsheh! U trondita me shfaqjen publike të zotit Arian Starova për ndarjen e Kosovës! Madje kërkoi që autoritetet e Kosovës ta marrin rekomandimin e tij shënim. Nuk bëj patriotin! Por realistin. Kosova e ka paguar pavarësinë e shtetësinë e saj me humbjen e mijëra shqiptarëve për shkak të genocidit serb. Kur nisi lufta dhe ndodhën masakrat kundër shqiptarëve, Starova dhe politikanë të tjerë pse nuk thanë se “Hajde ta ndalojmë luftën e ta ndajmë Kosovën”?! Së paku nuk do kishte gjakderdhje! Apo kishin frikë nga “patriotët” dhe sot ndryshuan situatat? Nuk ka më frikë as nga mëkati për atdheun!