Nga Ermal Mulosmani
Në jetë kemi takuar shumë gango të fortë që identifikoheshin përmes emrit të nënës. P.sh., Beni i Havasë, Dori i Mjaftimes apo Luli i Sanies. Ua vinin nofkën kur ishin të vegjël, në mëhallë, pasi emri në vetvete i vocërrakut mistrec nuk kishte akoma identitet.
Ndërsa nëna, po, ajo ishte e famshme.
Ndër gratë e mëhallës, Havaja, Mjaftimeja dhe Sania ishin ato që të merrnin gjak në vetull. Ato shanin me fjalët më të ndyra, bërtisnin me zë të lartë, vishnin rroba burrash dhe ishin burimi i të gjitha thashethemeve me fantazi erotike dhe jo vetëm.
Zakonisht, të tillave ne u ruheshim shumë si fëmijë, pasi na turpëronin:
“Të paskan ra dhëmbët, ua paske parë plakave!” – i thonin një fëmije 7-8 vjeçar, duke e bërë të skuqej deri në rrëzë të qafës vogëlushin.
Batuta vulgare shoqërohej edhe me një zgërdhirje të gjatë, ironike, të një rrethi më të gjerë. Ato të merrnin erzin! Ishte një luftë e pabarabartë, sepse atyre nuk kishe çfarë t’u merrje.
Edhe burrat e mëhallës u ruheshin atyre. Dorëzoheshin para banalitetit, paturpësisë, shëmtisë dhe mpiheshin të turpëruar. Fakti që askush nuk kishte interes seksual për to u shtonte etjen për hakmarrje. Prej tyre buiste veç paturpësi dhe provokim. Nëpër qyteza të vogla apo fshatra gjenden boll të tilla.
Ne i quanim llaxore – një term që përmblidhte pamjen dhe fjalorin, banalitetin dhe injorancën. Atyre u ruheshim siç u ruheshim të çmendurve.
Sepse banaliteti të lë pa fjalë. Ti mendon se çfarë përgjigje t’i kthesh, por befas kupton që je inferior. Është mospërvoja jote në banalitet dhe rrugaçëri që të bën të shmangesh.
E sheh veten të pafuqishëm dhe i hap rrugën.
Zejqineja është fiks një ndër to. Ajo është përzgjedhur të shajë rrugëve si e marrë. Fiks si Havaja, Sania apo Mjaftimeja. Përreth Zejqinesë gjithmonë janë edhe shoqet. Ato qeshin me një qeshje të stisur e sforcuar, si në filmat e socrealizmit. Batutat e Zejqinesë janë të tilla që të bëjnë të vjellësh. Bash ky është suksesi i saj: rëndomësia.
Të gjithë thonë me vete: “Eh, ne mund të ishim Zeqineja!” Dhe kënaqen. Me shpresë se koha është e tyre. E bëjnë like dhe share…
Mjaftimeja, Sania apo Havaja e dikurshme do të ndiheshin të fyera për nivelin. Ato qahen me vete për kohën e humbur: “Ahh, të ishim ne në kohën e saj” – thonë me të drejtë. Do të bëheshim ministre, deputete.
Zejqineja ka djalë, Edin. Edi do të mbahet mend si Edi i Zejqinesë. Ajo është stari i fushatës, Edi është thjesht djali i saj. Ndërsa ne jemi mëhallxhinjtë që kemi mbyllur derën dhe presim kur të na ikin nga mëhalla këta të çmendur!