“Lëvizja Bashkë” kérkoi me anë të një reagimi në rrjetet sociale që kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni Samir Mane po ashtu të merren nën hetim në dosjen ndaj Ilir Metës.
Në reagim nënvizohet se Rama si kryeministër dhe Meta si kryeparlamentar në vitin 2014 kaluan në parlament ligjin për minierat i cili i shërbente vetëm interesave të bisnesmenit Samir Mane.
“Hetimet e SPAK-ut ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit kanë zbuluar një model të rrënjosur të marrëdhënieve midis politikës dhe oligarkisë ekonomike në Shqipëri, të cilën Lëvizja BASHKË ka vite që e denoncon. Kjo “martesë” është ndërtuar mbi korrupsionin, favorizimin dhe manipulimin e institucioneve shtetërore për të përmbushur interesat e një grushti të vogël njerëzish të fuqishëm, ndërsa qytetarët shqiptarë dhe interesi publik janë anashkaluar. Rasti i Ilir Metës tregon se si shteti është kapur nga oligarkia, duke ndikuar drejtpërdrejt në politikat publike dhe ekonomike.
Një nga oligarkët e përfshirë në hetimet e SPAK-ut është Samir Mane. Mane ka pasur një marrëdhënie të dyshuar korruptive me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin. Sipas SPAK-ut, Meta dhe Kryemadhi ndihmuan Manen në miratimin e ndryshimeve ligjore në favor të tij, përfshirë amendamentet në ligjin për minierat, që favorizonin kompaninë e tij Albchrome. Mane ofroi në këmbim përfitime të paligjshme për çiftin, duke përfshirë premtimin e një vile në kompleksin luksoz Rolling Hills, e cila u la pasi marrëveshja u bë publike.
Mbrojtja që kryeministri Edi Rama i bëri në vitin 2014 ligjit për sektorin minerar, duke e paraqitur atë si një nismë revolucionare që do t’i jepte fund “barbarisë” në shfrytëzimin e pasurive natyrore, sot del nën një dritë të re dhe demaskuese. Ligji, i cili sipas SPAK-ut ishte porositur nga oligarku Samir Mane për të favorizuar interesat e tij në industrinë minerare, veçanërisht për kompaninë Albchrome, në fakt nuk ishte as revolucionar dhe as në shërbim të interesave kombëtare, por një mjet për të siguruar përfitime të mëdha për një biznesmen të lidhur ngushtë me qeverinë. Ndërsa Rama fliste për “siguri” dhe “progres”, realiteti është se ligji kishte për qëllim të mbyllte derën për konkurrencën dhe të siguronte favore për oligarkun e preferuar të qeverisë.” – theksohet në reagim.