Nga Ermal Mulosmani

Koha e parë –   I nënshtruar

Një profil i Kryeministrit të sotëm të Shqipërisë ka qenë një joshje e kahershme imja. Por, për sa kohë njohjet me të kanë qenë të tërthorta dhe ndërthurura me njerëz të tjerë, shumë më afer tij sesa unë, kam qenë hezitues. Për të qenë korrekt me ata njerëz do përpiqem t’i lë të mjegullt në këtë rrëfim.

Ramën e kam njohur shumë kohë përpara se ta takoja fizikisht. E njihja si djalin e Kristaq Ramës, skulptorit socialist të veprave monumentale. Por edhe si basketbollistin e Dinamos dhe të ekipit kombëtar. Mund të duket e çuditshme sot, por, fama e tij më e madhe ishte si burri i Matilda Makoçit, aktores protagoniste të filmave të soc-realizmit.

Deri sa erdhi fillimi i viteve ’90 dhe, bashkë me të, edhe adhurimi kombëtar ndaj “heronjve të demokracisë”. Urrejtja shumëvjeçare për shtypjen dhe varfërinë ku na katandisën pushtetarët paraardhës ishte arsyeja kryesore pse i pranonim pa kushte të rinjtë. Plus entuziasmin bosh e kishim karakteristik si popull (siç thotë edhe Rama në pamfletet e tij). Pranonim gjithfarë figure që dilte në tribunë dhe shante ata, të tjerët, të vjetrit. Pak rëndësi kishte se çfarë përfaqëonte folësi në vetvete. Ne kishim nevojë të lëshonim gojën, të ndienim fllad lirie mes asaj skllavërie mbytëse. 

Për herë të parë e kam parë Ramën ato ditë Dhjetori, nuk e di se në cilin nga mitingjet e shumta. Mbaj mend se foli për Kasem Trebeshinën dhe lirimin e të burgosurve politikë. Kishte një përçmim të dukshëm për drejtuesit e Lëvizjes, për meritat e tyre e njëkohësisht ambicie të pafshehur për të qenë ai në krye të saj. 

Në rrjedhën e kohës dhe luftën e bërrylave, Rama e humbi protagonizmin. Kundërshtarët e tij u shpallën fitimtarë. 

Por hesapet nuk ishin larë përfundimisht. 

Në faqet e të përditshmes më të madhe shqiptare, “Koha Jonë”, Edi Rama i zemëruar me “padrejtësinë” që historia po i bënte atij, u lëshua me shkrime fshikulluese, plot figuracion letrar e kolor gjuhësor, por njëkohësisht edhe ambicie të lartë politike. Pre e shkulmeve të tij ishin ata që, në bindjen e tij, i kishin zënë vendin. Shpesh pa u përmendur me emër, pasi kështu mendonte se u jepte vlerësim. Ja një nga konsideratat e tij për forcat politike të kohës në fund të vitit 96:

“Si Pozita, ashtu edhe Opozita në Shqipëri, janë dy struktura të ngritura në shpatullat e gjera të arketipit të Njeriut të Ri, këtij modeli të krijuar nga propaganda e shfrenuar komuniste, e cila u mbështet fuqimisht tek dobësitë e karakterit të shqiptarit dhe tek burimet e pashtershme të traditës së tij që ushqen Barbarinë, Totalitarizmin, Autoritarizmin apo thënë me një fjalë të vetme, Nënshtrimin ndaj Babës, duke frymëzuar kësisoj një servilizëm të përmasave të mëdha që nuk kufizohet vetëm brenda mureve të klanit familjar, por që kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur është fjala për t’iu bindur të gjitha atyre forcave udhëheqëse autoktone apo të huaja, të cilat shfaqen në Majëmalin e Politikës Shqiptare me synimin për të përsëritur Projektin Rutinë të lënies së Shqipërisë në errësirë, edhe pse, meqë ra fjala, duhet pohuar këtu se asnjë forcë e huaj që pati rastin të sundonte shqiptarët nuk arriti asnjëherë t’i sjellë Shqipërisë aq dëme morale dhe materiale sa i sollën vetë udhëheqësit autoktonë. E thënë ndryshe, Politika Shqiptare, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, po vjen e po plazmohet dita-ditës si një shartim i kulturës së moçme të primitivizimit me shpresën e papërmbajtur se Amerika do të ndërhyjë më në fund për ta zbritur Skënderbeun nga kali, e për t’ia besuar opozitës atë kalë të bekuar”. 

Vini re përtej figuracionit letrar. Rama përmend dobësitë e karakterit të shqiptarit që propaganda komuniste i shfrytëzoi me dinakëri. Sipas Ramës ato janë adhurimi ndaj Totalitarizmit, Autoritarizmit dhe Nënshtrimi ndaj Babës. E kjo karakteristikë kombëtare jona- thotë Rama- kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur bëhet fjalë për autoritetet shtetërore. Kjo konsideratë e tij sigurisht është shfrytëzuar me po aq dinakëri nga vetë Rama i sotëm. 

Ndërkohë që, ligjërimi i tij përbuzës për Shqipërinë dhe banorët e saj arrin në një dimension edhe më tragjik në paragrafin tjetër. Me stilin e pamfletve koniciane ai shton: 

“Shqipëria është një rrumpallhane që hipën e zbret në Malet e Gënjeshtrës, noton në Lumenjtë e Frikës, zdërhallen në Lëndinat e Mashtrimit Reciprok, dremisin në Frëngjitë e Hakmarrjes, fluturojnë me Presh në Retë Imagjinare të Heroizmit, përzhiten në Qyngjet e Injorancës, për tu shfaqur, befas, në Mullarët e Entuziasmit Pa Arsye, e kësisoj, vegjetojnë në zemër të Kontinentit të Vjetër si dora e fundit që i mbijetoi Prurjes së Civilizimit”. 

Retorika vazhdon, sigurisht, duke lëshuar të tjera shkrepëtima gjuhësore mbi bashkëkombasit e vet, që, të vetmen varkëz shpëtimi nga këneta e Errësirës ku llokoçitej, kishte këtë Fanar mendjendritur që ua përplaste të vërtetat në sy dhe kishte dijën sipërane për ta udhëhequr në betejën e madhe për Dritën!

**************

Ky ishte profili publik i Edi Ramës ditën kur u prezantua si Ministër Kulture dhe fillova ta njoh personalisht. Kur erdhi në Ministri, nëpër korridore rëndonte hija e tij edhe në mungesë. Një e kuqe e thellë gjaku, një ngjyrë sureale për institucione shteti, e ngjashme me muret e një SPA-je moderne, ngjyrosi korridoret e Ministrisë pak ditë pas mbërritjes së tij aty. Mbaj mend se atyre kohëve më erdhën disa miq. Kërkonin të ndërmjetësoja për një vizitë në Katin e Lartë vetëm për të parë muret e kuqe si një ekzibicionizëm artistik. 

***************

Mbërritja e Ramës në Minsitri shoqërohej me një shpurë njerëzish mes të cilëve edhe ish e dashura gjermane e atyre kohëve. Një vajzë e bukur që e adhuronte. E shkreta. Kishte ardhur për Ramën në Shqipëri por, tashmë, duhej të sillej nëpër Ministri pa ditur ç’të bënte në pritje të tij. Të gjithë dukeshin në hall me të. Duke filluar nga Rama…. Ky ishte telashi i parë i Ministrit të ri prej të cilit u lirua shpejt. Pas ca kohësh nuk e pamë më…

Në Minsitri filluan ndryshimet. Njerëz të rinj vinin çdo ditë, forma të reja komunikimi gjithashtu. 

Në “nënkatet” e Ministrisë banonin “nënnjerëz” që duhej të ndriçoheshin nga llampadari i stërmadh që banonte në katin më të lartë. 

Shkresat ktheheshin për grremçin e munguar të shkronjës “ç” apo pse mungonte apostrofi i formave të shkurtra. Shkresat shiheshin me zellin e një mësueseje skrupuloze gjuhe për gabimet ortografike dhe as nuk lexohej fare se ç’thoshin në përmbajtje… 

Mëkatet gjuhësore u kthyen në makthin e hartuesve të shkresave. Nënshkrimi i shkresave që tallnin drejtuesit e institucioneve të varësisë ishte si një çekan mbi kokën e tyre. Dalëngadalë ranë të gjithë….

Koha politike ishte krejtësisht në favor të Ramës. Në krye të Qeverisë kishte ardhur Fatos Nano, një njeri që sapo kishte dalë nga një burg disavjeçar i Berishës dhe pushteti i kishte ardhur si në përralla. Nano kishte namin e një liberali që shpërndante pushtet por, në fakt, e bënte këtë sepse i kishte shteruar çdo vullnet për punë dhe e shkonte kohën nëpër pijetore  shokësh a salla kumari ku ngrysej e gdhihej duke lëshuar batuta bajate të një kohe të shkuar që gajasnin veç shoqëruesit servilë. Një portret shumë afër realitetit të Nanos jep vetë Rama te Kurbani kur thotë:

“Natyra e tij prej aventurieri gjysmë romantik e gjysmë marifetçi, i dashuruar me vetveten si pakkush, sa i zgjuar aq i palexuar, sa i vetësigurtë në shfaqje aq i lëkundur në brendi, sa veshëhapur për gjithçka aq edhe i zellshëm për të mos dëgjuar për asgjë serioze, sa i dhënë pas pushtetit të tij mbi të tjerët aq edhe i papërgjegjshëm në shpërdorimin e pushtetit të marrë nga të tjerët” 

“Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tëndë, derisa e merr lodrën, por, me ta marrë, ulesh përtokë dhe e zbërthen çika çika, deri sa s’të mbetet asgjë në dorë”.

Raporti i Nanos me Ramën ministër zgjati pak, punë muajsh. Do të rikthehej më vonë, plot tallaze, por të rrimë pak këtu…

*********

Vrasja e Azem Hajdarit dhe rënia e Qeverisë Nano 1 pati një ndikim të jashtëzakonshëm në raportin e Edi Ramës me pushtetin.  Befas, ai pa që një kalama patetik, një klloun politik si Pandi Majko, të gdhihet Kryeministër i Shqipërisë si një kompromis që nuk kërcënonte askënd! Kaq qesharak nuk e kishte menduar as në zdërhalljet e tij imagjinare të kohëve të ekstravagancës! Si mundet një axhami pa mbushur të tridhjetat, që nuk kishte bërë asnjë punë në jetën e tij apo lexuar ndonjë libër për të qenë, të ulet befas në karrigen e Kryeministrit?! Çfarë vendi qesharak është ky? Si mundet Ai vetë, të jetë vartës i një kllouni si Majko?! 

Mund të them se të gjitha këtyre dilemave Rama iu përgjigj siç nuk do ta kisha menduar kurrë! Ai u kthye në një Demkë që shkruante fjalimet dhe kartolinat e shokut ZyloMajko! Ai pa në epërsinë e tij të gjithanshme ndaj Majkoziut një trampolinë pushteti të shpejtë. Ai shfrytëzoi me mjaft dinakëri injorancën dhe naivitetin fëmijënor të shefave të tij postadoleshentë për të afirmuar veten. 

Udhëheqësit ish komunistë kishin përzgjedhur axhaminjtë për të bërë gjasme ndarjen me të kaluarën. Por bashkë me ta kishin zgjedhur edhe një kafshë politike që do t’i hante një nga një e pa pikën e hezitimit, të gjithë ushqyesit e tij me pushtet. Të gjithë e mbajmë mend atë videon e një vakie ngushëllimi, ku shkojnë për qokë Meta, Rama dhe Kiço Blushi. Qytetari e pyet Ramën “Nga të kemi” por përgjigjen e jep Meta: “As vetë ai nuk e di” – dhe lëshohet në një gajasje sa zhurmëmadhe aq edhe të pakuptimtë!  Të tilla poshtërime publike ishin haraçi që di duhej paguar por u shënuan në defterin e llogarive. Do të vinte edhe koha e tyre….

I pari e pësoi ai që e solli nga Parisi dhe e bëri ministër. Mirënjohja është ves i të dobtëve, ajo është dëshmitarja e heshtur e kohëve të vështira ndaj duhet flijuar pa mëshirë!

Majkon e mbajti afër për ta tallur publikisht sipas orekseve të tij perverse me emërime të parëndësishme ku spikati një si biçim Ministri i Bashkatdhetarëve apo ta emërojë të 20-tin në listën e kandidatëve për deputetë të Tiranës. Demka iu hakmor Zylos duke ia shpalosur në publik, sa herë që i binte rastin, naivitetin, budallallëkun prej kllouni që qesh pa arsye edhe kur objekt i talljes është vetë ai. Ndoshta ishte edhe një përpjekje e suksesshme për të bërë diferencat mes epokave…Në 2005-ën hyjmë në kohën e dytë të Ramës. 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *