Nga Ermal Mulosmani

Koha e tretë – Mbretërimi

Koha e tretë e Ramës fillon në vitin 2013. Ishte një kohë tranzitore në ngjitjen e tij drejt fronit mbretëror. Ilir Meta ishte nëpër këmbë. Iu kthye sërish sentencës “Mikun mbaje afër, armikun edhe më afër”. Dukej sikur gjithçka shkonte vaj. Për ditëlindjen e 45 të Metës, në 21 Mars 2014, Rama dhe gjithë taborri i tij ministror dhe mediatik, u lëshuan në Lalëz, në një çadër gjigante moderne të ngritur vetëm për këtë ditë të shënuar. 

Çfarë gafe e Ilir Metës! 

Mund të jetë  gafa më e madhe në komunikimin publik që ka bërë Ilir Meta qysh nga dita e parë në politikë! Çfarë dreqin po bënte?! Po sfidonte varfërinë e mijëra shqiptarëve, publikisht, me festime alla Gadaf? Po bënte Don-in e Mafias të cilit i përkulen të gjithë që nga Kryeministri?!

Kjo i shkoi kaq shumë për vijë Ramës. Mediat e shumta afër tij shkruanin për bollëkun dhe luksin e shfrenuar të një ngrehine qindramilionëshe, vetëm njëditore! Prania e Ramës aty shihej si një peng elektoral dhe ishte truku që do përdorte Rama për 4 vjet sa qeverisi me Ilir Metën. 

Rama ndërtoi imazhin e një kokuluri. Ai nuk hezitonte të nisej çdo të mërkurë, në këmbë, mespërmes bulevardit për të shkuar te Don-i i Mafias që “ia kishte zënë këmbët me ato pak vota…”

Spin doktorët kujdeseshin të filmonin rrugëtimin e mundimshëm të “Jezusit” drejt selisë së “Judës”. Ndërkohë, paralelisht, filluan të mbinin lajmet për korrupsionin e Lsi-stëve që po ndotnin “pastërtinë” e Rilindjes. Por kjo nuk mjaftonte. Një intrigë për “vrasje të porositur” nga Ilir Meta mori dhenë. Vrasës nga më të rrezikshmit silleshin si “të trembur” nëse flasin ndaj pranuan burgun por nuk hapën gojën. Gjithçka shkonte sipas skenarit. Perceptimi i njerëzve po konsolidohej: “Ilir Meta është një mafioz dhe Edi Rama është në hall të madh”! 

Rama po ndihej gjithnjë e më i sigurtë. Megjithatë, për t’i humbur efikasitetin, në pritje të asgjësimit politik, i propozon Metës hiç më pak sesa Presidentin e Republikës! 

Kalkulimet ishin të sakta. Meta do të paralizohej politikisht dhe do të përgatitej për fundin politik të tij! Nga ana tjetër Meta bënte llogaritë e veta. Nëse merrte 10 deputetë shanset që të ishte faktor i rëndësishëm politik ishin të mëdha pasi askush nuk mund të formonte Qeverinë. Në këtë rast, fuqia e Ilir Metës si President do t’i shtoheshin edhe kreditet si formues i Qeverisë. Ndaj edhe u lëshua në fushatë elektorale me të gjitha bateritë, duke shkelur edhe etikën e një Presidenti të zgjedhur! Rezultati ishte spektakolar për LSI-në, 19 deputetë! 

E kush mund ta mendonte se nuk do t’i duheshin për asgjë! Partia Demokratike kishte pësuar humbje katastrofale, mezi kapi 45 deputetë! 

Edi Rama filloi mbretërimin!

Iu deshën 19 vite pritje, konjukturë, vuajtje, intrigë politike, koalicione, strategji komunikimi për të mbërritur atje, në majë dhe i vetëm, i pakërcënuar! Tani duhej të qëndronte sa më gjatë.  Por jo vetëm kaq. I duhej të argëtohej me pushtetin të shtriqej sa më shumë në hapësirë dhe të nënshtronte të gjithë mëtuesit! 

Shkatërroi opozitën, shkelmoi çdo proçedurë prokurimi publik, shtoi borxhin, shpenzoi miliarda dollarë si të ishin trashëgim nga i ati. Hapësira publike u betonizua deri në qiell, kullat qindra metroshe mbinë në qendër të Tiranës e në mes të pyllit të Liqenit.  Shpërdorimi kolosal i parave publike me Partneritetin Publik Privat në Shëndetësi apo Mjedis bëhet me një lehtësi moskokëçarëse të pabesueshme. Shqipëria filloi të braktisej masivisht duke u bërë tmerri i Perëndimit, kriminelët zhdukin njëri-tjetrin me bekimin Kryeministror, kokaina tranportohej me helikopterë, Porti i Durrësit ishte porta më e madhe në Ballkan ku kamionët faturojnë banane e sjellin kokainë! Drejtësia e pavarur ka frikë prej Tij si djalli prej temjanit. Kryeministri ndërton flotën e tij të avionëve për të cilën nuk i jep llogari kurrkujt. 

Opozitarët kanë gjetur te njëri-tjetri, te sivëllai i djeshëm, një armik ku e ku më të egër sesa Rama, Ambasadorja Amerikane e sheh me adhurim edhe pse shpesh sfidohet publikisht, kosovarët e adhurojnë megjithëse ai është miku i ngushtë i Aleksandër Vuçiç etj etj. 

Por përtej kësaj batërdie me pasuritë publike, Edi Ramës i pëlqen më shumë se asgjë Mujsharia, Dhuna verbale, Arroganca dhe Përtallja ndaj gjithkujt, pa asnjë kufizim!

Nuk kishte rëndësi nëse ishin politikanë opozitarë apo përkrahës të Rilindjes, gazetarë me reputacion apo reporterë, puthadorë apo kundërshtarë, gra apo burra, të rinj apo fëmijë, burrështetas të Kosovës apo emisarë amerikanë. Ai nuk ka kufinj. Lodra e pazëvendësueshme e Kryeministrit të Shqipërisë është Përtallja. 

Ai mundet të dorëzojë gjithçka përveç tundimit të përqeshë, përbuzë e përtallë njerëz. Aty ai është në amok. Mjafton të ketë pak spektatorë përreth dhe llampa e dëshirës së papërmbajtur ndizet. Lëre pastaj të ketë një shesh me njerëz, kamera apo vëmendje televizive. Mjerë kush bën pyetje që nuk i pëlqejnë Sulltanit! Kur nuk ka përgjigje për pyetjen ai e sikteris pyetësin! Herë me dënime tre a pesë mujore riedukimi, herë me citime gjysheje apo batuta të kota që shoqërohen me shikime të vëngërta plot shkrepëtima inati. Kolegët gazetarë në konferenca shtypi e shijojnë linçimin e kolegut/es. Në vend që të mbledhin mikrofonat e të largohen prej aty. 

Përroi lëndues i kolegëve, kundërshtarëve e deri edhe spektatorëve vërshon gjithë shkumë e batërdi epitetesh përtallëse që ia shtojnë adrenalinën më shumë se kokaina. Arroganca dhe bulizmi janë pjesë e Ramës sa ç’është gjatësia apo timbri i zërit. Ai nuk jeton dot pa atë. 

Rama është i vetmi Kryeministër në botë që fton qytetarë apo katundarë për miting elektoral dhe i ngre në këmbë, i qesëndis, i bën subjekt talljeje publike. Turma e mbledhur në vend që të braktisë mitingun e fyer, fillon gajaset e duartroket. Rama është i vetmi Kryeministër në botë që ndan tapi dhe i thotë fshatarit përfitues: 

“Hajde hajde se të shoh se je i PD-së ti. Dukesh që në pamje, me ato mustaqe e atë veshje, dukesh. Merre tapinë dhe voto PD-në.” 

Bashkëfshatarët qeshin e argëtohen, si dikur me arushën e Tahir Baçovës. Qesh edhe katundari i shkretë, subjekt i tallësit. Fundja ky është haraçi që duhet të paguajë për ta marrë atë m** tapie! Duhej nënshtruar këtij Kryekllouni e këtyre kllounëve që qeshin si në komunizëm anëtarët e Byrosë përpara Enverit. 

Ai e përzgjedh me kujdes viktimën. Propaganda e njofton për fshatarët që janë votues kundërshtarë qysh përpara kllounatës me tapi. Ai thërret emrin, sheh njoftimin dhe e gjuan viktimën. Sapo e sheh pak të kapardisur, të papastër e pa shije, fillon gjuetinë. Ky është PD-ja! E kundërta e PS-së, që, e rilindur është gjithë shije e edukatë, e mirësjellshme dhe entuziaste. Ky racizëm i kulluar politik bëhet në prezencë të kamerave televizive dhe argalisjen e servilëve të tribunës e platesë, bashkëfshatarëve dhe telespektatorëve. Portalet e  bëjnë kryelajm batutën Kryeministrore. Qeshin lexuesit, mijëra share, miliona like. Argëtim kombëtar! 

Ky është Kryekllouni Kombëtar!

E gjitha kjo i ka rrënjët te konsiderata e Ramës për këtë popull. Ai e ka lënë të shkruar (siç e citova diku më lart) pikëpamjen e tij  dhe po e risjell këtu edhe një herë:

“Si pozita, ashtu edhe opozita në Shqipëri, janë dy struktura të ngritura në shpatullat e gjera të arketipit të Njeriut të Ri, këtij modeli të krijuar nga propaganda e shfrenuar komuniste, e cila u mbështet fuqimisht tek dobësitë e karakterit të shqiptarit dhe tek burimet e pashtershme të traditës së tij që ushqen Barbarinë, Totalitarizmin, Autoritarizmin apo thënë me një fjalë të vetme, Nënshtrimin ndaj Babës, duke frymëzuar kësisoj një servilizëm të përmasave të mëdha që nuk kufizohet vetëm brenda mureve të klanit familjar, por që kthehet në Apoteozë të Nënshtrimit kur është fjala për t’iu bindur të gjitha atyre forcave udhëheqëse autoktone apo të huaja, të cilat shfaqen në Majëmalin e Politikës Shqiptare me synimin për të përsëritur Projektin Rutinë të lënies së Shqipërisë në errësirë, edhe pse, meqë ra fjala, duhet pohuar këtu se asnjë forcë e huaj që pati rastin të sundonte shqiptarët nuk arriti asnjëherë t’i sjellë Shqipërisë aq dëme morale dhe materiale sa i sollën vetë udhëheqësit autoktonë.

Ai I njeh mirë dobësitë e karakterit të shqiptarit ku spikat Nënshtrimi ndaj Babës. E ku ka Babë si Ai? Ai është KryeBaba!

Subjekti më i spikatur i Kryeministrit për Talljen Publike është ai që konfigurohet si Pasardhësi i tij. Edi Rama e urrente pasardhësin me të njëjtën pasion që zëvendësi urren shefin. Ai zgjidhte aty njerëz pa personalitet, pa karakter, eunukë politikë, pikërisht për ta shuar “postin” e pasardhësit. Sapo një “pasardhës” mbinte në opinion Rama e denigronte duke e tallur publikisht. Pasardhësi i kujton atij përkohshmërinë dhe kjo e tmerron.  Në fakt jo vetëm pasardhësin por edhe eminencat gri. I pari e pëson mentori i tij gati 20 vjeçar, Koço Kokëdhima. Nga Kryeministër i Jugut dhe guru i Kryeminsitrit, në asgjë! Një stil hoxhist, i pamëshirshëm, frikëndjellës, i paskrupullt. Miqtë e tij të dikurshëm hidheshin në harresë apo rithirreshin në skenë sipas hënës kryeministrore dhe vullnetit për nënshtrim ndaj Sulltanit. Kështu u harrua Dash Peza, Fatos Lubonja, Ardian Klosi e shumë të tjerë më pak publikë se këta. Sa për ata të Partisë, ata nuk vihen në hesap fare. Fatos Nano, Gramoz Ruçi, Dade, Ruka, Islami e të tjerë që kush i mban mend, u zhdukën nga qarkullimi për tu zëvendësuar nga nënpunës mediokër, apostuj të Sulltanit, që lajmin e ngritjes në detyrë  e marrin live në televizion, si në përrallat me çudibërës magjistarë. 

Për të ardhur te sikterisja e “numrit dy”. I pari e provoi Saimir Tahiri me epitetin “vemje” dhe qelinë e burgut. Pastaj Erion Veliaj me shkallët që do lyente natën pa gdhirë apo Erion Braçe që e sikteriste si një fëmijë lagjeje që na bezdis rrugëve. Sapo ndonjë eksponent socialist fryhet dhe media e konsideron favorit apo pasardhës, çoku kryeministror e godit pamëshirë. Saimir Tahiri, Erion Veliaj, Taulant Balla apo Belinda vardisen në sarajet kryeministrore duke ofruar nënshtrim të pashembullt e intriga për rivalin. Sulltani dëgjon dhe argëtohet. Ai luan fijet e kukullave aspirantë si Stalini dikur me anëtarët byroistë. Nënshtrimi i tyre është shëmbullor, ata fillojnë e imitojnë shefin, batutat e tij, gjestet, manierat, thekset, pranojnë të kthehen në kllounë publikë në shërbim të Sulltanit. 

Tani po afron ora  e hakmarrjes së madhe. Pas Fatos Nanos, Sali Berishës, Gramoz Ruçit, Koço Kokëdhimës, Pandeli Majkos radha i ka ardhur atij që e ka munduar më së shumti, Ilir Metës. Dikur thoshte: “Më je ngjitur si meta pas këpuce” një shprehje që tregonte gjithë frustrimin, mllefin, padurimin që kishte për të pastruar atë këpucë. Sa më i madh mirëbërësi aq më e fortë goditja. E, në këtë kontekst, Ilir Meta meriton për Ramën hiç më pak se derën e burgut. Paditë gëlojnë çdo ditë, dokumente shpalosen, pranga tringëllijnë. Regjisori është në New York a Bruksel, OKB apo NATO duke çliruar deliret ekzibicioniste me fjalime sfiduese që mahnisin shqiptarët. 

Një sundues si ky i ka rrënjët thellë në popull. Prandaj mos u ankoni njerëz. Herën tjetër do të marrë më shumë vota se 50%. Sepse ju pëlqeni të jeni të dhunuar, të vjedhur, të varfëruar, të braktisur e mbi të gjitha, TË JENI TË TALLUR. 

JU KENI KRYEMINISTRIN QË MERITONI. MBAJENI ME SHËNDET!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *