Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar se raketat balistike që Serbia ka blerë nga Kina kanë karakter sulmues dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e rajonit.
Në një intervistë për A2 CNN, ai theksoi se armatosja e Serbisë nuk është një zhvillim i ri, pasi Beogradi prej vitesh furnizon ushtrinë me sisteme të ndryshme armësh nga vende të ndryshme.
Sipas Maqedoncit, Serbia ka blerë raketa nga Kina edhe në vitet e kaluara, ndërsa sistemet e fundit të siguruara janë të projektuara kryesisht për operacione sulmuese.
Ai shtoi se një zhvillim i tillë përbën kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit, duke reflektuar, sipas tij, një qasje hegjemoniste të Serbisë në aspektin ushtarak dhe politik.
Ministri i Mbrojtjes theksoi gjithashtu se pretendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, se armatosja po bëhet si përgjigje ndaj marrëveshjes së bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk qëndrojnë, pasi këto blerje kanë nisur shumë kohë përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.
Në fund, Maqedonci theksoi se militarizimi i Serbisë dhe blerja e armëve nga vende jashtë NATO-s duhet të merren seriozisht nga aleanca dhe të diskutohen si një çështje që prek stabilitetin e gjithë rajonit.

