Në të kundërt tetori nuk ka qenë i mbarë sidomos për industrinë e “tekstileve e këpucëve”, po ashtu për industrinë automotive (makineri e pajisje) dhe “ushqimeve, pije e duhan”.
Eksportet kanë vijuar prirjen e tyre në rënie në tetor, ndonëse tendencat tkurrëse janë ngadalësuar si rrjedhojë e ecurisë më të mirë të shitjeve të “mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë” si dhe “materialeve të ndërtimit e metaleve”.
Në të kundërt tetori nuk ka qenë i mbarë sidomos për industrinë e “tekstileve e këpucëve”, po ashtu për industrinë automotive (makineri e pajisje) dhe “ushqimeve, pije e duhan”.
Sipas INSTAT, në shtator tetor 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 36.5 mld lekë, duke u ulur me -4.3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Që nga marsi, eksportet nuk po arrijnë ta marrin veten, duke shënuar ecurinë më të keqe që nga periudha e pandemisë. Në janar, shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9% për të vijuar në shtator me -12.8%. Në tetor, tkurrja u ngadalësua në 4.3%.
Efektin më negativ në rënien e tetorit e ka shënuar industria tekstile dhe e këpucëve.
Sipas INSTAT, gjatë muajit Tetor 2023, në uljen e eksporteve prej -4,3%, kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -3,6 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,8 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +0,5 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,4 pikë përqindje..
Eksportet, gjatë këtij dhjetëmujori janë ulur me -8,6%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,2 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,3 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,3 pikë përqindje.
Fasoni shkurton linjat, rrezikohet mbyllja e fabrikave dhe humbja e vendeve të punës
Industria e tekstileve e këpucëve, që punon me material porositësi (fason) dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend (kryesisht shtresave me të ardhura të ulëta), është në një situatë të vështirë. Për të pestin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në tetor ky grup u tkurr me 11.4%, që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.
Edvin Prençe kryetar i ProEksportAlbania tha për “Monitor” se sektori ka humbur konkurrueshmërinë, si rrjedhojë e rritjes së kostove dhe rënies së euros. Shtrenjtimi i kostove ka detyruar bizneset e sektorit të kërkojnë rritje të çmimeve, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë pranuar nga klientët europianë, që u janë drejtuar vendeve te tjera Ballkanike (Maqedoni e Veriut, Serbi e Bosnjë) ose vendeve të Afrikës (Tunizi, Marok e Egjipt). Negativisht ka ndikuar dhe mungesa e politikave nxitëse dhe amortizuese nga ana e Qeverisë.
Prençe thotë se as në kohën e Covid situata nuk ka qenë kaq keq, ndërsa paralajmëron se mbi 75 mijë vende pune janë në rrezik. “Kemi muaj që flasim, rënkojmë, por presin mbylljen e fabrikave të cilat ju siguroj që po u fikën nuk mund të ndizen më e të rimarrin ritmin e mëparshëm”, pohon ai.
Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 104-105 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.
Për gjithë 10 mujorin, eksportet e këtij grupi kanë rënë me 4.4%.
Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 29% të totalit.
Mineralet e lëndët djegëse i kthehen rritjes
“Mineralet dhe lëndët djegëse” iu rikthyen rritjes me 6.2% në tetor, pasi shënuan një rënie të thellë me 27.5% në shtator. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, si dhe eksporteve të energjisë.
Për 10-mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 5%, nga 6.8% për 9 mujorin.
Materialet e ndërtimit dhe metalet frenojnë tkurrjen
Materialet e ndërtimit dhe metalet ngadalësuan ndjeshëm rënien në shtator (-8.6%), pasi ishin tkurrur me ritme të larta dyshifrore përgjatë 8 muajve të këtij viti. Në tetor grupi iu rikthye për herë të parë gjatë këtij viti rritjes, ndonëse me ritme të ulëta, prej 2.8%. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si tendenca e çmimeve, por dhe ecuria e kërkesës.
Për 10-mujorin, ky grup u tkurr me 28%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.
Ushqimet, pijet dhe duhani nuk po e marrin veten
“Ushqimet, pijet dhe duhani” ishin sektori me ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Megjithatë në gusht, ky grup shënoi një rënie relativisht të fortë me 9.7% me bazë vjetore, si rrjedhojë e motit të pafavorshëm që ndikoi në reduktimin e prodhimit. Tendenca rënëse u përkeqësua më tej në shtator, me gati 14% tkurrje të produkteve të shitura, që është ecuria më negative e këtij viti. Në tetor, eksportet vijuan rënien, ndonëse me ritme më të ngadalësuara prej -0.5%.
Gjithsesi për 10-mujorin, ky grup është zgjeruar me 12.5%, i ndikuar nga ecuria pozitive në pjesën e parë të vitit.
Industria automotive vijon rënien, nga kursi
Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive.
Por, që nga prilli ky grup po shënon ecuri negative, me përjashtim të muajit maj. Tkurrja vijoi dhe në tetor, me 8.5%, rënia e dytë më e lartë pas tekstileve. Sipas përfaqësuesve të kompanive, ecuria negative lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive. Nga ana tjetër, rritja e vazhdueshme e kostove po e bën industrinë më pak konkurruese.
Për 10-mujorin grupi është rritur me rreth 3.25%.
Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 370 mld lekë, duke u ulur me -8,6% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 728 mld lekë, duke u ulur me -6,4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 358 mld lekë, duke u ulur me -4,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Eksportet bien me Italinë, Gjermaninë e Spanjën
Sipas Eurostat, në muajin Tetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Tetor 2022 janë: Italia (4,2%), Gjermania (26,2%), Spanja (40,0%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (12,9%), Greqia (0,7%), Turqia (202,9%), etj.
Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (9,4%), Gjermania (30,7%), Spanja (6,2%), etj. Ndërsa vendet me të cilin eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kosova (12,1%), Greqia (15,5%), Maqedonia (3,4%), etj.
Në muajin Tetor 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, janë: Italia (3,3%), Turqia (18,0%), Greqia (26,7%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Tetor 2022 janë: Kina (13,7%), Gjermania (15,5%), SHBA (5,9%), etj.
Gjatë këtij dhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (4,0%), Turqia (25,3%), Greqia (25,2%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (26,0%), Gjermania (5,0%), SHBA (28,9%), etj.
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 57,4% të gjithë tregtisë. Në Tetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 71,7% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 50,7% të importeve gjithsej.
Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (30,2%), Kina (8,1%), Turqia (8,0%) dhe Gjermania (6,4%).
Shkëmbimet tregtare, për dhjetëmujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 58,4% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Tetor 2023, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,8% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,5%), Kina (7,8%), Turqia (6,8%) dhe Greqia (6,6%).
Burimi: Monitor.al