Nëse një ekonomisti të njohur ndërkombëtar do t’i kërkohej që të bënte një vlerësim për ecurinë ekonomike të Shqipërisë, ai do të bazohej në disa variabla, si tendencat demografike, ecuria e konsumit, produktiviteti, eksport-importe e bilanci tregtar, çmimet, kredia apo dhe investimet që po bëjnë sipërmarrjet për teknologjinë e informacionit dhe njohuritë (know-how).
Bazuar në këto variabla zyrtare, për 4-mujorin e parë të vitit, ai do të arrinte në përfundimin që ekonomia nuk po ecën dhe aq mirë.
Konsumi nuk ka ndonjë rritje domethënëse, e reflektuar kjo në rënien e të ardhurave nga TVSH-ja për 4-mujorin me 0.58% me bazë vjetore, tkurrjen e importeve të grupeve kryesore si ushqimet, me 11.2%.
Zhvillimet demografike, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të popullsisë, ku vetëm në vitin 2022 kishte 31 mijë kërkesa për azil në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe inflacioni i lartë vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në konsum.
As produktiviteti nuk shihet të jetë përmirësuar, teksa bizneset, që po përballen me kostot e shtuara nga koniunktura ndërkombëtare e lokale, po detyrohen ndërkohë të rrisin pagat, disa me detyrim nga ndryshimi i pagës minimale, e disa të tjerë, për të frenuar ikjen e punonjësve, duke pasur më pak hapësira për të investuar në përmirësimin e teknologjisë. As deficiti tregtar nuk është përmirësuar në 4-mujorin e parë të vitit.
Kredia e re për ekonominë ishte rreth 3% më e ulët në tremujorin e parë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të gjitha sinjalet janë për një ngadalësim të ekonomisë në muajt e parë të vitit, në linjë dhe me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare, të cilat presin që vendi të rritet me 2.5-3% këtë vit, nga 4.8% në vitin 2022.
Sektori më me potencial dhe me ecuri pozitive për këtë vit mbetet turizmi, për shkak të interesit të lartë që ka Shqipëria dhe natyra e saj nga të huaj.
Por, ekonomia, ndryshe nga matematika, nuk është shkencë ekzakte, teksa ka shumë faktorë që nuk mund të parashikohen, siç ishte pandemia e vitit 2020, që ktheu përmbys të gjitha pritshmëritë.
Aq më tepër në Shqipëri, ku variablave normalë u shtohen dhe faktorët informalë, që ndonjëherë janë aq të ndjeshëm, saqë zhvlerësojnë dhe variablat formale. Shembulli më i mirë është ecuria e kursit të këmbimit në prill dhe pjesa e parë të majit, të cilën çdo ekonomist, që nuk e njeh realitetin shqiptar, do ta kishte shumë të vështirë ta shpjegonte.
Nga data 15 mars deri më 11 maj, që përkon me fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore, të cilat u mbajtën më 14 maj, monedha e përbashkët u zhvlerësua me 3.5% në tregun e brendshëm, duke zbritur nga 114.5 lekë në 110.68 lekë, niveli më i ulët historik.
Në krahasim me fillimin e vitit 2023, euro u nënçmua me 5.8%. Kjo tendencë ka ardhur nga përmirësimi i faktorëve ekonomikë, tha Banka e Shqipërisë. Kanë ardhur shumë turistë, thanë të tjerë!
Pak të dhëna ka në fakt për prillin, por bilanci tregtar, që është elementi kryesor i bilancit të pagesave (që mat hyrje-daljet e valutës nga vendi) shënoi rezultatin më negativ të këtij viti (-40 miliardë lekë).
Për eksportuesit, ky ishte një nga muajt më negativë që nga koha e pandemisë, me shitjet që u tkurrën me 19.3%.
Aq më e pashpjegueshme do të ishte për ekonomistët rritja e fortë e euros në dy-tre ditët që pasuan zgjedhjet. A ikën turistët brenda dy ditësh? A u përkeqësua ekonomia sapo mbaruan zgjedhjet?
Padyshim që jo. Prej vitesh, vendi është i mbërthyer në një nivel të lartë informaliteti dhe hyrje të valutës nga burime të panjohura, që po shtrembëron të gjithë treguesit realë.
Ndonëse shumëkujt, ndoshta dhe qeverisë, mund t’i leverdisë kjo situatë, për shkak se hyrja e valutës i jep frymëmarrje ekonomisë në afatin e shkurtër, në afatin e gjatë, efektet pritet të jenë negative, për të mos thënë “shkatërruese”.
P.sh., një shfryrje e flluskës së ndërtimit, një pjesë e të cilit është financuar nga këto burime, mund të rrezikojë qëndrueshmërinë e sistemit financiar. (këtu shtrohet dhe ekuacioni tjetër i vështirë për t’u zgjidhur nga ekonomisti, ku ndonëse të ardhurat nuk janë rritur dhe popullsia po largohet, çmimet e pasurive të paluajtshme në kryeqytet janë rritur ndjeshëm!)
Rënia e euros ka paralizuar tashmë eksportuesit. Konkurrenca informale penalizon bizneset që nuk varen nga këto burime.
E zeza nuk mund të mbulohet dot me të bardhë dhe fluksi i lartë i emigracionit është një dëshmi e qartë që iluzioni i ekonomisë, i cili fryhet nga informaliteti, nuk gënjen dot më asnjë!
Burimi: MONITOR.al