Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, deklaroi gjatë një daljeje për shtyp se shumë shkolla po vuajnë mungesën e ngrohjes në këto ditë të ftohta, duke çuar në ndërprerjen e mësimit në disa prej tyre.

Ajo theksoi se shpenzimet e pushtetit lokal shkojnë për luks në zyra, ndërsa nxënësit mbeten pa mësim për shkak të mungesës së kushteve minimale.

Deklarata e deputetes së PD-së, Elda Hoti:

“Dje Ministria e Arsimit dhe Sportit, për shkak të situatës së rënduar nga moti i keq, vendosi pezullimin e përkohshëm të procesit mësimor në vend. Nga 77 shkolla në mbarë vendin që janë mbyllur për shkak të mungesës së ngrohjes ose pamundësisë për të shkuar në shkollë prej borës, 23 prej tyre ndodhen në Kurbin. Afërsisht 1/3 e gjithë shkollave që nuk ofrojnë mundësi mësimi janë në këtë zonë.

A mban kush përgjegjësi? A do të jenë nxënësit një javë pa mësim për shkak të temperaturave të ulëta? A mungon sistemi i ngrohjes në Bashkinë Kurbin?

Bashkia Kurbin është zhytur në luks dhe indiferencë, duke harruar qytetarët që vuajnë çdo ditë nga mungesa e kushteve bazike. Ndërsa ata qëndrojnë në zyrat e tyre komode, mijëra familje janë lënë në errësirë dhe shkollat pa ngrohje. Fëmijët nuk mund të ndjekin mësimin në këto kushte, ndërsa institucionet heshtin dhe nuk marrin asnjë masë.

Ulja e çmimit të energjisë me 1 lek nga qeveria është një tallje e hapur me qytetarët, kur mijëra familje në qarkun e Lezhës janë prej ditësh në errësirë totale. Ministrja Balluku mburret me arritje imagjinare, ndërsa qytetarët përballen me mungesën e energjisë në mes të dimrit, pa asnjë shpjegim apo zgjidhje konkrete.

Ky është një tregues i qartë i shkëputjes së qeverisë nga realiteti dhe nevojat e vërteta të njerëzve, duke lënë të sëmurët, fëmijët dhe të moshuarit në errësirë totale. Premtimet boshe dhe propagandat nuk ndezin dritat, nuk ngrohin shtëpitë dhe nuk ulin vuajtjet e qytetarëve. Është koha për përgjegjësi dhe veprime të menjëhershme, jo për shoë dhe tallje!”

By Editor