Në muajin tetor 2025, persona ende të paidentifikuar, të dyshuar për lidhje me botën e errët të krimit, kanë tentuar të ekzekutojnë një plan për rrëmbimin e ish-zv/kryeministrit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në Zvicër.
Sipas informacionit të mësuar nga gazetari Elton Qyno, skenari kriminal parashikonte që Ahmetaj të rrëmbehej jashtë banesës së tij dhe të dërgohej më pas në Itali. Operacioni do të prezantohej si një arrestim i suksesshëm nga strukturat policore, duke pretenduar se personi i arrestuar ishte një individ në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Më pas, SPAK do të kërkonte ekstradimin e Ahmetaj në Shqipëri.
Plani ka dështuar pasi ishte vetë Ahmetaj që ka konstatuar praninë e personave të dyshimtë në rrugët e Luganos dhe ka denoncuar ngjarjen menjëherë te policia lokale, sipas gazetarit Qyno. Autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim, duke sekuestruar pamje filmike nga disa rrugë të qytetit për të identifikuar personat e përfshirë.
Gjithashtu, janë administruar disa mesazhe kërcënuese që i janë dërguar Ahmetaj në muajin tetor dhe në vijim.
Arben Ahmetaj ndodhet aktualisht në Zvicër si azilant dhe është ish-ministri i qeverisë Rama që ka bërë denoncime për çështje korrupsioni dhe kriminaliteti, përfshirë akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, ministres së Transporteve dhe Energjitikës Belinda Balluku dhe drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Denoncimet e Ahmetaj tashmë janë pjesë e dosjeve penale dhe kanë çuar në arrestime nga SPAK-u.

