Në një takim rutinë në Shtëpinë e Bardhë këtë pranverë, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi i ka komunikuar Presidentit Donald Trump se emri i tij është përmendur disa herë në dosjet voluminoze të hetimeve mbi çështjen e Jeffrey Epstein, sipas zyrtarëve të lartë të administratës.
Burime nga administrata thanë se në këtë takim, ku mori pjesë edhe Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Todd Blanche, Trump u informua se emri i tij nuk ishte në qendër të dokumenteve, dhe se shumë figura të tjera të profilit të lartë ishin gjithashtu të përmendura.
Sipas zyrtarëve të Drejtësisë, përmendjet e shumta në dosjet që ata i quajtën “një kamion me dokumente”, nuk përbëjnë dëshmi për ndonjë veprim të paligjshëm. Ata shtuan se shumë nga përmbajtjet ishin të bazuara në thashetheme të paprovuara dhe se nuk kishte materiale që kërkonin hetim apo ndjekje penale për ndonjë nga të përmendurit, përfshirë ish-presidentin Trump.
“Si pjesë e një raportimi rutinë, e informuam Presidentin për gjetjet,” thanë Bondi dhe Blanche në një deklaratë për The Wall Street Journal. Ata sqaruan se nuk u gjet asnjë listë klientësh apo dëshmi që vënë në dyshim përfundimin zyrtar se Epstein vdiq nga vetëvrasja.
Trump, sipas zyrtarëve të pranishëm, shprehu mbështetjen për vendimin e Departamentit të Drejtësisë për të mos publikuar më dokumente të tjera, për shkak të përmbajtjes së ndjeshme që përfshinte materiale të paligjshme dhe informacione personale të viktimave.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk kishte asnjë shqetësim lidhur me përmendjen e emrit të Trump në këtë raund të ri dokumentesh, duke përmendur se emri i tij ishte përmendur edhe më parë gjatë hetimeve fillestare. “Kjo është vetëm një histori tjetër fake news, njësoj si ajo e mëparshmja e Wall Street Journal,” deklaroi drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung.
Ende nuk është e qartë në çfarë konteksti përmendet emri i Trump në këto dokumente, por dihet gjerësisht se ai, si shumë figura të tjera të njohura në Nju Jorkun e viteve ’90, ka pasur marrëdhënie shoqërore me Epstein, një njeri që njihej për përpjekjet për të afruar figura të njohura rreth tij.
Megjithatë, Departamenti i Drejtësisë thekson se pjesa më e madhe e informacionit në dosje është e pa verifikuar dhe se asnjë pretendim serioz që lidhet me Trump nuk është konsideruar i besueshëm.