Endri Shabani ka reaguar pas votimit në Kuvend, ku ai mori besimin për të drejtuar institucionin e Avokatit të Popullit. Në një deklaratë të gjatë, Shabani shprehet i surprizuar nga mënyra se si evoluoi procesi në sallën e Parlamentit, duke e cilësuar votëbesimin “të rëndësishëm, personalisht prekës dhe dinamik përtej çdo parashikimi”.

Shabani u ndal fillimisht te qëndrimi i opozitës, e cila sipas tij e nënshkroi me mbështetje kandidaturën e tij, por në momentin e votimit u tërhoq plotësisht. Sipas tij, deputetët e opozitës fillimisht “e inkurajuan me dashamirësi, i dhanë firmat sipas ligjit dhe i uruan sukses”, por më pas “e braktisën kandidaturën sikur të mos ishte e tyrja”.

Në të kundërt, deputetët e mazhorancës – që nuk pranuan të jepnin asnjë firmë për kandidaturën e tij – në momentin vendimtar e votuan të gjithë me votë të fshehtë. Shabani e cilësoi këtë veprim si shprehje të pjekurisë politike dhe të vënies përpara të interesit shtetëror, sidomos për zhbllokimin e një ngërçi institucional që kishte ndikim në procesin e negociatave me BE-në.

“Deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi funksionimit të shtetit dhe kapërcyen faktin që unë, si aktivist i opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra që me siguri nuk iu kanë ardhur mirë”, shkroi ai.

Shabani falënderoi 35 deputetët e opozitës që i dhanë firmat për t’u kandiduar, duke u shprehur se nuk do t’u japë arsye të mendojnë se kanë gabuar kur e kanë mbështetur fillimisht. Ai vlerësoi po ashtu votën e mazhorancës, të cilën e konsideroi “akt të pjekurisë politike”.

Në mbyllje, Avokati i ri i Popullit premtoi se do të kryejë detyrën me përkushtim maksimal dhe do të punojë për të fituar respektin e të gjithëve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *