Në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur një kërkesë e re që synon pezullimin e ushtrimit të funksioneve të Avokatit të Popullit, si dhe shfuqizimin e projektvendimit për zgjedhjen e kandidatit aktual, Endri Shabani.
Sipas dokumentit të depozituar, kërkohet që në seancën gjyqësore të thirren edhe 35 deputetë si dëshmitarë. Pretendimi i parashtruar është se gjatë procesit të votimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka pasur tjetërsim të vullnetit të tyre.
Kjo kërkesë vjen si vijim i një ankese të mëparshme, e depozituar në Gjykatën Kushtetuese më 11 nëntor 2025, ku kërkohej shfuqizimi i procedurës së nisur më 13 tetor 2025 për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si dhe rikthimi dhe përfundimi i procedurës së mëparshme të nisur më 31 janar 2023, e cila kishte mbetur në fazën e votimit në Kuvend.
Në kërkesë theksohet gjithashtu domosdoshmëria e pezullimit të procedurës aktuale deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim garantimin e rregullsisë kushtetuese të procesit.

