Endrit Shabani, një nga themeluesit dhe ish-drejtuesit kryesorë të Nismës Thurje, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i partisë për të kandiduar për postin e Avokatit të Popullit. Dorëheqja e tij mban datën 15 tetor 2025, ndërsa lajmi është konfirmuar zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) më 3 nëntor.
Në njoftimin zyrtar të dërguar KQZ-së, Sekretarja e Përgjithshme e Nismës Thurje, Brunilda Dhrami, ka bërë me dije se partia ka zhvilluar zgjedhjet e brendshme dhe si kryetar i ri është zgjedhur Elton Canaj. Sipas dokumentacionit, para dorëheqjes së tij, Shabani ka autorizuar sekretaren e përgjithshme për të përfaqësuar partinë në institucionet shtetërore, për shkak se emri i kryetarit të ri nuk është regjistruar ende në KQZ.
Endrit Shabani është një prej 23 kandidatëve që kanë aplikuar për postin e Avokatit të Popullit, proces që aktualisht ndodhet në fazën e verifikimeve nga Kuvendi. Me këtë hap, Shabani kalon nga drejtimi i një partie që kishte si slogan “ndryshimin e sistemit”, drejt garës për një funksion publik brenda vetë sistemit.
Dorëheqja e Shabanit vjen vetëm pak muaj pas përçarjeve të brendshme mes tij dhe bashkëthemeluesit Adriatik Lapaj, që pasuan pas prishjes së aleancës së tyre politike. Me ndryshimet e fundit, Nisma Thurje hyn në një fazë të re udhëheqjeje nën drejtimin e Elton Canajt.

