Mijëra qytetarë nga Shqipëria dhe Kosova janë prekur nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit, duke lënë në pasiguri familje të tëra që kishin nisur ose ishin pranë përfundimit të procedurave.

Një prej tyre është edhe Artina (emër i ndryshuar), e cila në maj të vitit paraprak ishte përzgjedhur fituese e Programit të Vizave të Diversitetit, i njohur si “llotaria e Kartës së Gjelbër”. Ajo u zhvendos drejt SHBA-së në prill të vitit 2022, ndërsa partneri i saj mbeti në Shqipëri.

Në gusht të po atij viti, çifti nisi procedurat për bashkim familjar, por distanca u bë edhe më e vështirë pasi Artina mbeti shtatzënë. Ajo tregon se ka përballuar e vetme punën, shtatzëninë dhe muajt e parë të mëmësisë, duke shpresuar se familja do të ribashkohej së shpejti.

Shpresat e saj u zbehën kur SHBA-ja vendosi të pezullojë përkohësisht vizat e emigrimit për shtetas nga 75 vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Vendimi u justifikua nga presidenti amerikan Donald Trump me argumentin se emigrantët duhet të jenë të vetëmbajtshëm ekonomikisht dhe të mos kthehen në barrë për shtetin.

Sipas të dhënave të publikuara, rreth 41 për qind e emigrantëve nga Shqipëria dhe 46 për qind nga Kosova përfitojnë ndihma sociale në SHBA. Megjithatë, Artina thotë se ajo ka qenë gjithmonë e punësuar dhe kontribuuese, por pavarësisht kësaj, tani përballet me realitetin e një udhëtimi të ri drejt SHBA-së, kësaj here me vajzën e saj të vogël, pa bashkëshortin.

Në situatë të ngjashme ndodhen mijëra aplikantë të tjerë. Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar rreth 3.800 shtetas shqiptarë dhe 650 nga Kosova fituan viza emigrimi drejt SHBA-së.

Artid Hila, konsulent për procedurat e emigracionit, shprehet se shqetësimi kryesor i aplikantëve lidhet me pasigurinë e krijuar nga pezullimi i përpunimit të vizave, pasi ekziston rreziku që viti fiskal të përfundojë pa u lëshuar vizat, edhe pse procedurat dhe pagesat janë kryer.

Ai thekson se shumë aplikantë kanë investuar vite pritjeje dhe mijëra dollarë në dokumente, përkthime, kontrolle mjekësore dhe udhëtime për intervista, ndërsa tani përballen me mungesë informacioni të qartë dhe lajme të pasakta.

Pezullimi i vizave shoqërohet edhe me një tjetër vendim të SHBA-së, atë të pauzimit të Programit të Vizave të Diversitetit në dhjetor të vitit të kaluar. Nga ky program, ndër vite, kanë përfituar mijëra shtetas nga Shqipëria dhe Kosova.

Për Artinën dhe shumë të tjerë si ajo, e ardhmja mbetet e pasigurt. Ajo shprehet se ndjen sikur vitet e pritjes po fshihen, duke mos përjashtuar mundësinë që heqja dorë nga ëndrra amerikane të mbetet i vetmi opsion.

Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL)

https://www.evropaelire.org/amp/mijera-shqiptare-te-prekur-nga-pezullimi-i-vizave-te-emigrimit-ne-shba/33651440.html

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *