Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli doli në konferencë shtypi ku dha lajmin se ka dorëzuar një kërkesë me dëshmi në Gjykatën Speciale duke i kërkuar kësaj të fundit të hetojë masakrën në burgun e Dubravës të ndodhur në muajin maj të vitit 1999-të.
Dugolli është një nga të mbijetuarit e kësaj masakre ku mbetën të vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën 300 të tjerë.
Ai theksoi se Dhomat e Specializuara duhet të marrin në shqyrtim kërkesën e tij dhe të nisin hetimet duke dëshmuar njëkohësisht se Gjykata Speciale nuk është një-etnike.
“Nëse Gjykata nuk është një-etnike nuk ka arsye pse të mos nisin hetimet. Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj mosndëshkueshmërie. Kërkesa ime drejtuar prokurorit të specializuar përbën dëshmi të mjaftueshme për të hapur hetime dhe eventualisht për të ngritur akuza që janë të bazuara në fakte, argumente kundër zyrtarëve të lartë të Serbisë të asaj kohe, të cilët planifikuan dhe kryen masakrën e Dubravës.” – u tha Dugolli gazetarëve.