ENVER HOXHA – 26 qershor 1973:

‘ Shkarjet në letërsi e në art kanë lidhje edhe me punën e pamjaftueshme të Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës, ku militojnë shumica e shkrimtarëve dhe e artistëve dhe ndodhen institucionet kryesore artistike të vendit, në të cilat, më shumë se kudo, ishte përhapur fryma e liberalizmit. Në këtë drejtim ka ndikuar në mënyrë shumë të dëmshme veçanërisht ish-sekretari për propagandën. Fadil Paçrami, i cili për problemet e letërsisë, të arteve dhe të institucioneve artistike të qytetit. kishte arritur t’i imponohej Komitetit të Partisë të Tiranës.

Fadil Paçrami për këto probleme ka pasur pikëpamje të huaja, në kundërshtim me vijën e Partisë, të cilat janë shfaqur edhe në krijimtarinë e tij letrare. Me predispozicionet e tij të theksuara liberale, me teorizimet e huaja, ai i mohonte dhe i luftonte traditat e shëndosha të letërsisë e të arteve, nxiste ndarjen artificiale midis brezave të krijuesve dhe predikonte luftën midis tyre, inkurajonte dhe përkrahte përhapjen e ndikimeve e të shfaqjeve të huaja moderniste. Me prirjet e tij liberalo-anarkiste, të shprehura në konceptimet e djathta të problemeve dhe në përdorimin e metodave agresive, të zbatuara me mendjemadhësi e arrogancë, ai ka ushtruar një ndikim shumë negativ në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve dhe në jetën letraro-artistike të kryeqytetit. Pikëpamjet antiparti të Fadil Paçramit janë shfaqur jo vetëm në moszbatimin e vijës së Partisë për luftën në të dy krahët, por edhe në kundërshtimin e hapur të saj, duke luftuar nga pozita të huaja vetëm kundër konservatorizmit. Në fakt, si deviator i djathtë, ai ka luftuar për t’i hapur rrugën liberalizmit. Në punën e tij ai ka shkelur normat e Partisë. Kritikat që i janë bërë herë pas here nga komunistë, nga aparati dhe Sekretariati i Komitetit Qendror të Partisë, ai me fodullëk nuk i ka marrë parasysh. Duke qenë kundër vijës së Partisë dhe kundër vetë Partisë, ai ka spostuar organizatat-bazë të sferës së kulturës dhe ka zbatuar një politikë personale kuadri, duke synuar që drejtimi këtu të kryhej jo nga Partia, por nga njerëzit që i shkonin atij për shtat. Fadil Paçrami e Todi Lubonja, si elementë antiparti, në fakt kanë pasur qëllime të njëjta dhe kanë ndjekur një rrugë për të goditur Partinë e udhëheqjen e saj.’

ENVER HOXHA:  (‘TË THELLOJMË LUFTËN IDEOLOGJIKE KUNDËR SHFAQJEVE TË HUAJA E QËNDRIMEVE LIBERALE NDAJ TYRE’ Raport në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH) 

Enver HOXHA: 28 qershor 1973:

Derisa Fadil Paçrami përqafoi dhe mbrojti pikëpamje të djathta, në kundërshtim me vijën e Partisë, kuptohet dhe shpjegohet «zelli i tij i madh për luftën kundër konservatorizmit, prapambetjes etj.». Për Fadil Paçramin konservatorizmit me kuptimin e vjetër, si me thënë klasik, i shtohet edhe «konservatorizmi i ri», që ekziston sipas tij në Parti. Pra vija e Partisë sonë, sipas mendimit, sipas fakteve, të thëna dhe të bëra nga Fadil Paçrami, qenka konservatore dhe duhet lë liberalizohet, të modernizohet, të likuidohet dhe të krijohet një parti e re. Dhe kësaj pune antiparti dhe thellësisht armiqësore iu futën Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja.

E. Hoxha: ‘ÇËSHTJA E POPULLIT DHE E PARTISË QËNDRON MBI TË GJITHA’ (Fjala e mbylljes në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH)

Enver HOXHA – 13 prill 1974: 

‘Partia jonë në të gjithë sektorët e jetës së vendit ka përgatitur kuadro që janë të gatshëm të punojnë dhe të konkurrojnë jo vetëm në kinematografi, por edhe në arte të tjera si në teatër, në muzikë, pa folur pastaj për folklorin tonë që nuk ia gjen bukurinë në asnjë vend. Këtë e them jo i nisur nga pozita lokaliste jo thjesht si mbrojtës i thesareve të popullit tim, por e them me bindje të thellë. Fadil Paçramit e Todi Lubonjës, këtyre dy armiqve të betuar të Partisë dhe të popullit tonë, dhe armiqve të tjerë të këtij kallëpi si ata, nuk u pëlqente folklori, prandaj Partia u tregoi vendin, duke u dhënë dënimin e merituar.’

E. Hoxha: ‘TË PUNOJMË E TË LUFTOJMË QË JETA E POPULLIT TË BËHET MË E GËZUAR, MË E KULTURUAR’ Nga biseda me përfaqësues të punëtorëve të uzinës «Traktori» 

ISMAIL KADARE – 13 janar 1974:

(‘Realizimi socialist – arti i madh i revolucionit’ në gazetën: ‘Zëri i Popullit’) 

‘Realizmi socialist është art i së ardhmes. Asnjë art i gjertanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm më të për nga mundësitë, epiciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli i lartë ideoartistik. Këtë omnipotencë ja jep atij revolucioni komunist.’

‘Nuk është e rastit që pseudoshkrimtari dhe armiku i partisë Fadil Paçrami i linte të mbushura pseudodramat e tij me hije dhe jo me njerëz. Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtarë të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi, F. Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpturë figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura e Skëndërbeut me keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit dhe të kombit. Nga kjo pikpamje ai të kujtonte ata pseudodijetarë të Ishullit të Laputëve, për të cilët Suifti tregon se kërkonin të shpiknin një metodë për të filluar ndërtimin e shtëpive nga çatia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi, urrejtja për folklorin dhe antishqiptarizmi i tyre, treguan dhe një herë se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe të arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë.’

Në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë shoku Enver, në një mënyrë thellësisht marksiste, zbërtheu esencën e vërtetë konservatore të borgjezisë dhe të revizionistit të sotëm. “Karakter konservator – thotë shoku Enver, – kanë jo vetëm ideologjitë e vjetra që vinë nga thellësitë e shekujve, por edhe ideologjia e kultura e sotme e degjeneruar borgjeze e revizioniste, i gjithë liberalizmi e modernizmi i tyre”. Duke zbatuar tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë të konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë? Përgjigja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta. Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i institucioneve mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi – ky është portreti i këtij letrari prift. Mirëpo, nga ana tjetër po të bëjmë pyetje se cili ka qënë liberali më i madh i letërsisë sonë, përgjigja është po ajo: përsëri Gjergj Fishta. Filoitalian i papërmbajtshëm, agjent i Vatikanit, emisar i pushtimit fashist, partizan i çkombëtarizimit dhe i romanizimit të kulturës sonë. Pra, nga një anë kryekonservator fanatik, nga ana tjetër kryeliberal. Shovinist i tërbuar dhe njëkohësisht kozmopolit i tërbuar. Kur ishte fjala për idetë e reja shoqërore, përparimin, për revolucionin, ai ishte konservatori më fanatik. Kur ishte fjala për fatet e atdheut, për lirinë, për kufijtë ai ishte liberali më i madh.

Të njëjtin shembull na e jep figura e letrarit fashist Ernest Koliqi. Konservatorizmi i tij ekstrem nuk e pengoi të shfrytëzonte në veprën e tij reaksionare, një teori aq të shtrenjtë për modernizmin e sotëm, frojdizmin. Kështu në tregimet e tij, ai herë na paraqitet si një namuslli turkoshak, herë si një gagarelë evropjan.

Publikoi: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *