Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke deklaruar në një intervistë për Euronews Albania se qeveria aktuale po ndjek një kurs politik që dëmton interesat shtetërore të Kosovës për përfitime personale politike.
Sipas Hoxhajt, ndonëse Kurti erdhi në pushtet me një platformë që promovonte bashkëpunimin me Shqipërinë, në praktikë ai ka ndjekur prej vitesh një qasje politike kundër Tiranës, e cila nuk ka kontribuar në afrimin mes dy vendeve dhe ka çuar Kosovën drejt izolimit ndërkombëtar, veçanërisht në raport me Bashkimin Evropian.
Ai theksoi se, megjithëse Kosova është përballur shpesh me kushtezime të padrejta nga BE-ja dhe tentativa për izolim nga shtete të caktuara, mbështetja e SHBA-së dhe e vendeve kryesore evropiane ka qenë vendimtare për procesin e njohjes së shtetit të Kosovës. Sipas tij, ka qenë detyrë e qeverisë Kurti që të shfrytëzonte këtë mbështetje për të arritur zgjidhje në interes të vendit.
Hoxhaj nënvizoi se dështimi i Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, edhe pas tre vitesh nga aplikimi, është tregues i qartë i izolimit të saj, për të cilin fajësoi drejtpërdrejt qeverinë aktuale. Ai e cilësoi politikën e Kurtit si antievropiane, antishqiptare dhe antiamerikane, duke shtuar se kjo qasje ka dëmtuar rëndë pozitën e Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas ish-kryediplomatit, sjellja politike e Kurtit i ka shërbyer më shumë krijimit të një ndjenje padrejtësie te qytetarët e Kosovës sesa forcimit të interesave shtetërore dhe marrëdhënieve me aleatët strategjikë të vendit.

