Nga Shaip Beqiri

Pjesa përmbyllëse e një shkrimi të gjatë

Deri në këtë pikë çdo gjë paraqitet e parëndësishme. Drama ka përfunduar, por perdet nuk kanë rënë për të mbyllur skenën e saj të skëterrshme. Tash vetëm një gjë ka rëndësi: Epilogu. A do të jetë epilogu i kësaj drame të madhe ashtu siç e pret mendjelehtësisht Rugova, apo brenda tij qëllimisht është lënë sherri që do të shpërthejë patjetër, siç çirret bindshëm Demaçi!? Këtu nuk është i nevojshëm kurrfarë profetizimi për të dhënë një përgjigje parashikuese. Unë do të marr në shqyrtim një element të ri, të cilin jo pa qëllim nuk e zura ngoje deri tash, ndonëse rëndësia e tij është thelbësore. Është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës që zbardhi një ndër faqet më të lavdishme të historisë shqiptare. Ajo nuk e mbylli vetëm dramën e vështirë duke u futur në skenën e historisë shqiptare pa lejen e atij (pra të Pesidentit) që, po të ishte i mirë dhe i mbarë, me kohë do të vihej në ballin e kolonave të saj! Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nëse do të vazhdojë që pa u gjunjëzuar të bëhet Ushtri e Vërtetë e Kosovës, në radhë të parë do të jetë mbrojtësja e vetme e vërtetë e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë së Kosovës. Nëse garda e saj e ashtuquajtur komanduese, e cila duket qartë që ka ambicie të sëmura për karrierë politike, të cilat nuk mundi t`i zaptonte as midis flakës së luftës, përulet dhe lakon kurrizin duke ua kthyer shpinën bashkëluftëtarëve të vet, vendin do ta vërvitë në humnera ende më të thella se të deritashmet. Liderët e rinj politikë, përsa i përket zellit karrierist, nuk ndryshojnë aspak nga Rugova, megjithëse ata thirren pareshtur në një rol të paluajtur të Rugovës, të cilin ata e paskan luajtur për të rrëmbyer karriget! Kjo luftë, nëse vazhdon me ritmin që është nisur, do të bëhet e vështirë dhe tepër e rëndë për Kosovën dhe për ata që ndodhen jashta kësaj loje të rrezikshme. Edhe sikur të mos ekzistonte fare brenda epilogut të kësaj drame kurtha e ngrehur serbe, sherri i vjetër i të palarave të politikës së mëparshme do të duket lodër fëmijësh kundruall zisë me të cilën do të mbulojnë vendin ata që nuk kanë tjetër vlerë përveç thirrjes në çfarëdo vlerash të mëdha, të cilat tevona nuk ka të drejtë askush t`i përvetësojë e as t`i shpërdorojë. Që tash, në prag të luftës së ashpër politike-diplomatike që do të mbyllë edhe epilogun e dramës së Kosovës, hienat e politikës dhe të publicistikës shqiptare kanë vënë emrat në etiketat e hekurta partiake nën portretët e heronjve të rënë për lirinë e Kosovës. Vrasja e tyre kaq mizore pas rënies në altarin e lirisë do të mbetet një plagë që s`do të mbyllet kurrë. Kjo mjegullnajë e re do të mbulojë pamje të këtij kapërcyelli mileniumësh në jetën shqiptare, që këtë herë ata po ia vetëmbyllin horizontët, të cilët në shekullin që po lëmë prapa ua mbyllën të tjerët. 

Bern, 20 Nëntor 2000

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *