E diplomuar për letërsi në Romë, Musine Kokalari do të evidentohej si njëra nga mendimtaret më të spikatura të fillim viteve 1940. Në vitin 1942 bashkë me juristin Skënder Muço formojnë Partinë Socialdemokrate shqiptare. Skënder Muço do të ekzekutohej nga pushtuesit gjermanë dhe Musine Kokalari do të mbetej në vazhdim ideologia kryesore e socialdemokracisë shqiptare.

Përfundimi i luftës në nëntorin e 1944- ës e vendos Musinenë para sfidave të reja. Komunistët e mbështetur nga jugosllavët dhe britanikët shiheshin si fituesit e luftës dhe sfidimi i tyre në skenën e re politike ishte një ndërmarrje aspak e lehtë. Në fillimin e vitit 1945 Musine Kokalari do të hartonte programin e partisë socialdemokrate shqiptare, program të cilin do e dorëzonte edhe tek misionet amerikane dhe britanike ende të pranishme në Shqipëri.

Parantezë e shtjellimit ideologjik të programit të ri politik ishte pasqyra e detajuar informuese mbi situatën e rëndë të krijuar në vend si pasoje e revanshit të komunistëve ndaj kundërshtarëve të tyre politikë. Kokalari u bën me dije misioneve amerikane dhe britanike se terrori komunist ishte shtrirë në secilin skaj të Shqiprëisë dhe se mbajtja e zgjedhjeve në këto kushte ishte e pamundur. Dokumentet e kohës dëshmojnë se reagimi i dy misioneve ndaj kërkesës së Musine Kokalarit ishte I ftohtë dhe mosaprovues.

Programi politik i hartuar nga Musine Kokalari shpaloste devizat e socialdemokracisë politike duke vënë theksin së pari në nevojën imediate për reforma të brendshme sociale dhe ekonomike të orientura nga harmonizimi i klasave shoqërore me qëllim evitimin e antagonizmave mes tyre, që do të çonin drejt konflikteve të brendshme me pasoja fatale për vendin e varfër të sapodalë nga lufta. Reforma agrare ishte një nga zotimet e Kokalarit ku në fokus të saj do të harmonizoheshin interesat e bujkut me ato të pronarëve të tokave. Përfaqësimi i bujkut në sferën e re të konfigurimit social do të çonte në çrrënjosjen e plotë të feudalizmit. Gjeopolitika e Musine Kokalarit e vendoste Shqipërinë në aleancë me perëndimin duke e parë interesin kombëtar si pazgjidhshmërisht të orientuar nga vlerat e demokracisë perëndimore. Në fushën e mbrojtjes, qasja e Kokalarit mëtonte drejt krijimit të një force të brendshme sigurie krejt modeste sa për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm.

Një nga çështjet kryesore të kësaj platforme politike ishte dhe kauza e Kosovës për të cilën propozohej zgjidhja përmes plebishitit ku populli i Kosovës do të përcaktonte vetë ardhmërinë e tij duke ushtruar të drejtën e vetëvendojes e cila ishte sanksionuar në Konferencën e Paqes së Parisit në vitin 1920. Zgjedhjet e 2 dhjetorit të 1945-s nxjerrin fitues komunistet të cilët garuan të vetëm në logon e Frontit Demokratik. Hapi i parë i asgjësimit të opozitës tashmë ishte çertifikuar. Viti 1946 nis me përndjekjen e zërave opozitarë dhe me 23 janar të këtij viti do të arrestohej dhe vetë Musine Kokalari.

Qëndrimi i saj në gjyqin komunist do të ofronte një nga manualet e disidencës antikomuniste më të spiktura në historinë politike të Shqipërisë. Ajo deklaroi se ishin pikërisht idealet e saj politike arsyeja e vetme pse po dënohej nga ai proçes. Musineja i shpalosi hapur bindjet e saj antikomuniste duke këmbëngulur se ky botëkuptim e kishte qartësuar atë mbi të ardhmen që meritonte atdheu i saj. Ajo nuk u thye nga etiketimet, linçimet dhe fyerjet e panumërta si brenda ashtu dhe jashtë sallës së gjyqit. Dënohet me 20 vite burg të cilat i kryen të plota. Antikonformizmi i Musinesë mbetet i palëkundur dhe në vitet e burgut. Në vitin 1957 ajo u drejton autoriteteve të kohës një kërkesë për lirimin e parakohshëm nga burgu, kërkesë e cila nuk përmbante asgjë nga servilizmi klasik i kohës. Kërkesa merret në shqyrtim, por raportet e informatorëve të ish-Sigurimit të Shtetit bënin me dije se qëndrimi i saj ndaj regjimit të Tiranës kishte mbetur po ai që kishte shfaqur gjatë proçesit gjyqësor. Në përfundim kërkesa për lirim i refuzohet.

Regjimi i Tiranës nuk mund të lejonte praninë e Musine Kokalarit në Tiranë dhe pas lirimit nga burgu vendoset për internimin e saj në qytetin e Rrëshenit ku për vite me radhë do të provonte poshtërimin e të qënit fshesaxhie e rrugëve të këtij qyteti. Dëshmitë që vinin nga Rrësheni tregonin se Musineja pavarësisht jetës tejet të vështirë që bënte, ajo nuk shkëputej nga leximi dhe të shkruarit. 

Drama në jetën e Musinesë përshkallëzohet kur diagnostikohet me sëmundjen e kancerit. Autoritetet e kohës i refuzojnë trajtimin e rekomanduar mjekësor duke e lënë në lëngatën e sëmundjes deri sa kaloi në amshim në vitin 1983. Akti i fundit i poshtërimit do të ishte varrimi i saj ku u përcoll në banesën e fundit vetëm nga disa punonjës të komunales së Rrëshenit. Kaq shteruese shfaqet urrejtja e regjimit ndaj Musine Kokalarit saqë gjatë zhvarrimit të saj duart u gjetën të lidhura. Musine Kokalari ishte varrosur si armike e një populli të shtypur e nën terror, por ajo gjalloi deri në frymën e fundit si idealiste dhe armike e sundimit të së keqes në atdheun e saj.

Emërtimi i disa rrugëve dhe shkollave të vendit me emrin e Musine Kokalarit duket më shumë si larje duarsh sesa si nderim. Nderimi I vetëm për Musinenë do të ishte jetësimi i idealeve të saj, përmbushja e të cilave duket ende një histori e largët edhe sot në Shqipërinë e 2022-shit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *